LAJMI I FUNDIT:

Në kujtim të një hetimi sy më sy

Në kujtim të një hetimi sy më sy

Me rastin 35 vjetorit të vënies në skenë të dramës “Hetimi”: Peter Weiss dhe Serafin Fanko.

“Hetimi” është një dramë e shkrueme nga Peter Weiss (1916-1982) në vitin 1965, në të cilën përshkruhen gjykimet e kriminelëve të Auschwitzit, në Frankfurt, gjatë viteve1963-1965. Premiera u dha më 19 tetor 1965 në katërmbëdhjetë qytete të Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore si dhe në Royal Shakespeare Theater, në Londër.


Drama përndryshe thirret edhe “Oratorio me 11 këngë”. Weiss ishte vetë vëzhgues në gjyqet kundër kriminelëve nazistë, por u mbështet në të shkruarin e tekstit edhe mbi raportet e Bernd Naumannit.
Në mendjen e Weissit, “Hetimi” duhej të ishte pjesë e një projekti ma të madh, i cili do të ndiqte strukturën e “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighierit. Projekti duhej të përfshinte tre botët e përtejme: Parajsën, Ferrin dhe Purgatorin.

Regjisori Serafin Fanko e merr këtë dramë të sapobotueme në Shqipërinë komuniste dhe e shqyrton nëpërmjet dijes brehtiane mbi teatrin, të mësueme s’di mirë se ku e s’di mirë sesi, dhe nisë ta shikojë shfaqjen që do prodhojë në “teatrin e vet” si një patalog kundërshtishë trimnore e kundrimesh sy më sy, nëpërmjet një ritmi të lartë, energjisë së thellë të aksionit skenik, mizanskenave masive e dinamike në shërbim të krijimit dhe gërshetimit të tri rrafsheve të veprimit: Akuzës (Tinka Kurtit); Mbrojtjes (Bruno Shllakut); dhe dëshmitarëve të krimit (Lec Bushatit, Violeta Sekujt, Bep Shirokës, Ymer Balës etj.).

Serafin Fanko arrin në një riprodhim emocional të tablove të gjalla të disa ngjarjeve reale, në të cilat shtjellohen marrëdhaniet reciproke të njerëzve. Ai shkon drejt një riprodhimi që ka për qëllim zhveshjen, lakuriqësinë, e cila mandej mund të të çonte në një zbavitje intelektuale, për të respektue kështu detyrën ma të përgjithshme e ma natyrale të institucionit të quejtun teatër: dhanien e kënaqësisë.

Këtu, në këtë shfaqje, besoj se Serafin Fanko realizon takimin fatlum të kënaqësisë brehtiane me katarsën e teatrit aristotelian, si një pastrim i pasioneve (pathemata) me anë të mëshirës (eleos) dhe frikës (fobos), sepse ajo që në të vërtetë e ndan kënaqësinë brehtiane me katarsën aristoteliane, është pikërisht “pastrimi”, i cili, sipas Brehtit, “nuk është në vetvete një kënaqësi, porse krijues i një kënaqësie”.

Serafin Fanko, sidomos me “Hetimin”, por edhe me elemente të përngjashëm estetikë teatrorë te shfaqjet e tjera, si: “Kanga e dhimbjes krenare”, “Shtegtim nëpër ankth”, “Tregim për Makbethin” e ndonjë tjetër ndoshta, e manipulon katarsën që arrihet nëpërmjet tragjedisë, në një mënyrë tjetër e të tërthortë, duke na ba me dije se ai kurrësesi nuk mund të synonte aso kohe të dilte mbatanë pa u lagë, duke qenë ashtu i drejtpërdrejtë. Dhe a e dini pse? Sepse aso kohe nuk ekzistonin as ndërgjegjet e aktorëve e as të spektatorëve, por sidomos nuk ekzistonin qartësitë e mendjeve për ta shoqnue në atë rrugëtim. Prandaj, ai e ndalë turrin e vet zemërak te ripropozimi i “kënaqësisë brehtiane” jo si një kënaqësi e thjeshtë, që arrihet nëpërmjet teatrit imitues, por si rrugë për një rigjetje të vlerave të reja e të fshehta të shoqnisë njerëzore, si një vlerë që e cyt njeriun ta transformojë vetveten…