LAJMI I FUNDIT:

Në Komunën e Pejës 35 të infektuar me COVID-19, dy nga ta në gjendje të rëndë

Në Komunën e Pejës 35 të infektuar me COVID-19, dy nga ta në gjendje të rëndë

Janë 35 persona të infektuar me COVID-19 në Komunën e Pejës, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në Repartin e Kujdesit Intensiv të Klinikës Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.

Në një prononcim për Telegrafin, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci ka thënë se shumica e të infektuarve po qëndrojnë në vet izolim nëpër shtëpitë e tyre.


“Janë 35 persona të infektuar, që janë aktiv, shumica prej tyre janë në vet izolim nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa janë edhe dy qytetar të Pejës, në Klinikën Infektive në Prishtinë, në gjendje më të rëndë, në mjekim intensiv dhe janë të moshës së mesme”, tha Loci për Telegrafin.

Loci theksoi se masat mbrojtëse nuk është se po respektohen në masë të madhe, ashtu siç tha ai po shihet edhe në tërë vendin.

“Respektimi i masave mbrojtëse si në gjithë vendin pak a shumë edhe në Pejë lë shumë për të dëshiruar, sepse nuk ka ndonjë respektim të madh. Ndoshta këtu ka ndikuar edhe hapjen e masave në mënyrë të shpejt që kanë ndikuar që qytetarët t’i neglizhojnë ato”, tha Loci.

Pas shifrave të larta të të infektuarve me coronavirus, të cilat u paraqitën gjatë ditëve të fundit, Loci tha se edhe në Pejë është rritur numri i testimeve.

“Numri i testimeve në pesë ditët e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë, menjëherë pas paraqitjes së rasteve të reja. Për çdo ditë merren dhjetëra testime. Pothuajse një javë ka që mostrat që merren gjatë ditës nuk do të thotë që dalin në darkën e asaj nate, po ndodhë që vonohen një ditë ose dy rezultatet”, tha Loci.

Sot u raportua po ashtu se një prokurore në Pejë është infektuar me COVID-19.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Infektohet me coronavirus një prokurore në Pejë
Lexo po ashtu Infektohet me coronavirus një prokurore në Pejë

Nikçi ka treguar se një pjesë e stafit që ka pasur kontakt me prokurorin janë vetë izoluar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar mbrëmjen e së martës se Nga data 08 shkurt deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.756 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 16 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.183.802 raste të COVID-19 dhe 441.175 raste të vdekjes. /Telegrafi/