Si ta bëni vizitën te dentisti një përvojë pa frikë për fëmijët

Këshilla praktike për ta bërë kontrollin dentar pa stres
Shumë fëmijë përjetojnë ankth kur dëgjojnë fjalën “dentist”. Kjo është krejt e kuptueshme për ta, kontrolli dentar është një situatë e panjohur, që shpesh lidhet me frikën nga dhimbja ose tingujt e pajisjeve.
Por lajmi i mirë është se, me qasje të duhur dhe përgatitje të hershme, kjo frikë mund të mos zhvillohet fare. Prindërit kanë një rol kyç për ta kthyer vizitën te dentisti në një eksperiencë të zakonshme, madje edhe pozitive.
Nëse fëmija ka pasur përvoja të këqija më parë, mos e detyroni menjëherë në një kontroll të plotë. Filloni me vizita të shkurtra “njohjeje” në klinikë, vetëm për t’u ulur në karrige dhe për të parë pajisjet, pa ndërhyrje mjekësore. Kjo metodë graduale ndihmon që frika të shuhet me kohë, transmeton Telegrafi.
Më poshtë gjeni disa strategji të thjeshta dhe praktike që funksionojnë në çdo moshë:
1. Filloni herët
Specialistët e shëndetit oral sugjerojnë që fëmijët të bëjnë kontrollin e parë dentar rreth moshës 1-vjeçare. Vizitat e hershme ndihmojnë fëmijën të ambientohen me mjedisin e klinikës dhe ta shohin si një gjë të zakonshme, jo si diçka për t’u frikësuar.
2. Zgjidhni një dentist pediatrik
Një dentist i specializuar për fëmijë ka jo vetëm njohuritë mjekësore, por edhe mjetet e duhura për të krijuar atmosferë miqësore: dhoma me ngjyra të gjalla, lodra, dekor argëtues dhe komunikim të përshtatur për moshën e fëmijës. Kjo bën diferencë të madhe në mënyrën si ata e përjetojnë vizitën.
3. Jini shembull pozitiv
Fëmijët vëzhgojnë dhe imitojnë. Nëse ju shfaqni frikë ose tregoni histori negative për vizitat tuaja, ka gjasa që ata ta marrin këtë si një sjellje normale. Flisni me tone pozitive dhe tregoni se kujdesi dentar është pjesë e zakonshme e jetës.
4. Inkurajoni pyetjet
Kur fëmija ka mundësi të pyesë dhe të marrë përgjigje, ndjenja e pasigurisë zvogëlohet. Nëse është kureshtar për instrumentet, kërkoni që dentisti t’ia tregojë dhe t’i shpjegojë me fjalë të thjeshta funksionin e tyre. Librat me ilustrime dhe videot edukative janë gjithashtu mjet i shkëlqyer për t’i përgatitur.
5. Shpjegoni rëndësinë e kujdesit oral
Kur fëmija kupton pse duhet të kujdeset për dhëmbët, për shembull, për të pasur një buzëqeshje të bukur, për të ngrënë ushqimet që pëlqen pa dhimbje, ai bëhet më bashkëpunues gjatë kontrollit.
6. Krijoni imazh pozitiv për dentistin
Përdorni fjali motivuese si: “Dentisti do të gëzohet shumë kur të shohë sa bukur po i pastron dhëmbët”. Kjo e ndihmon fëmijën ta shohë dentistin si mik dhe jo si kërcënim.
7. Shpërbleni guximin
Pas një vizite të suksesshme, lavdërojeni fëmijën për guximin dhe sjelljen e mirë. Një shpërblim i vogël, si një libër me ngjyrosje ose një aktivitet i preferuar, mund të përforcojë ndjenjën pozitive ndaj kontrolleve të ardhshme. /Telegrafi/



































