LAJMI I FUNDIT:

Në Gostivar së shpejti do të hapet edhe një kopsht fëmijësh

Në Gostivar së shpejti do të hapet edhe një kopsht fëmijësh
Foto: Ilustrim

Në objektin e ish shkollës fillore në fshatin Banjicë e Poshtme, në vijim janë punët intensive për adaptimin e tij për Kopsht fëmijësh, informon Komuna e Gostivarit duke shtuar se, bëhet fjalë për një investim të kësaj komune në vlerë prej rreth 50 mijë euro, me çka do të bëhet rikonstruktim i plotë i objektit në fjalë.

Rikonstruktimi i brendshëm dhe i jashtëm do të përfshijë instalimin e ri të rrymës elektrike, banjo të reja, pllaka të reja të qeramikës, sistem i ri i ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe do të bëhet zëvendësimi i dritareve të vejtra me dritare me efikasitet energjetik. Ndërsa sa i përket ngrohjes qendrore, do të instalohet edhe pompa termike si standard më bashkëkohor.


Pritet që së shpejti të përfundojnë punimet, dhe Kopshti i ri i fëmijëve të jetë i gatshëm të pranojë fëmijë të të gjitha nacionaliteteve, respektivisht përkujdesja dhe edukimi i tyre do të bëhet në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke.

Nga Sektori për veprimtari publike pranë Komunës së Gostivarit thonë se kjo bëhet për shkak se në listën e pritjes të IPKF “Gëzimi Fëmijëror” vazhdimisht numri është i madh dhe se kjo do të jetë një rast i mirë sidomos për banorët e dy Banjicave dhe lagjeve Dutllok, Lajthia, Banjeshnica dhe Fazaneria që të regjistrojnë fëmijët në kopshtin e ri.