Në Gjilan mbahet dëgjimi publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029, parashihet rritje e buxhetit në mbi 47 milionë euro


Komuna e Gjilanit ka mbajtur dëgjimin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027–2029, dokument strategjik që përcakton orientimin e zhvillimit ekonomik, social dhe infrastrukturor të komunës për tre vitet e ardhshme.
Në këtë takim morën pjesë drejtorë komunalë, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, mediave dhe qytetarë të interesuar.
Dokumenti u prezantua nga drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, i cili tha se Korniza Afatmesme Buxhetore paraqet bazën për zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.
"Korniza Afatmesme Buxhetore nuk është vetëm një dokument financiar. Ajo paraqet vizionin e Komunës së Gjilanit për zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të përgjegjshëm të financave publike dhe ofrim të shërbimeve cilësore për qytetarët", tha Kastrati.
Sipas tij, përmes këtij dokumenti synohet të krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet nevojave të qytetarëve, prioriteteve strategjike komunale dhe kapaciteteve reale financiare.
"Gjatë periudhës 2027–2029, Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të investojë në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, përmirësimin e infrastrukturës publike, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik lokal dhe transformimin digjital të administratës komunale", theksoi ai.
Kastrati bëri të ditur se objektivat kryesore të KAB-it janë planifikimi i qëndrueshëm financiar, menaxhimi efikas i fondeve publike, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe përfshirja e qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor.
Ai prezantoi edhe të dhënat kryesore për Komunën e Gjilanit, duke theksuar se komuna ka 82.980 banorë, 19.871 ekonomi familjare, 6.933 biznese aktive, 42 fshatra dhe 15.199 nxënës në arsimin parauniversitar.
"Këta tregues dëshmojnë për nevojën e vazhdueshme të investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mjedis dhe zhvillim ekonomik lokal", tha drejtori për Buxhet dhe Financa.
Sipas prezantimit, prioritetet strategjike për periudhën 2027–2029 përfshijnë zhvillimin ekonomik lokal, arsimin cilësor, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, investimet në infrastrukturë dhe mjedis, si dhe avancimin e qeverisjes digjitale përmes konceptit "Smart City".
Kastrati prezantoi edhe projeksionet buxhetore për katër vitet e ardhshme. Sipas tij, buxheti i Komunës së Gjilanit pritet të rritet nga 41.9 milionë euro në vitin 2026 në 47.3 milionë euro në vitin 2029.
"Analiza e rritjes së buxhetit komunal tregon se buxheti parashihet të rritet nga 41.9 milionë euro në vitin 2026 në 47.3 milionë euro në vitin 2029. Kjo paraqet një rritje prej 5.38 milionë eurosh ose 12.84 për qind", deklaroi ai.
Në fund të dëgjimit publik, qytetarët pjesëmarrës paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre për investime dhe realizimin e projekteve në lagjet dhe vendbanimet e tyre, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës në komunë. /Telegrafi/





































