Në Dollnen ndërpritet votimi, në Qendër shumë parregullsi (Video)

Në komunën ku po vijon gara etnike mes kandidatit shqiptar dhe atij maqedonas, është ndërprerë votimi në vendvotimin nr. 1490, për shkak se nuk është lejuar nga ana e një vëzhguesi partiak, të votojë i shoqëruar një votues i sëmurë dhe i plogësht.
Ndonëse Këshilli Zgjedhor ka dhënë lejen që votuesi në fjalë të realizojë të drejtën e votës, vëzhguesi i një partie ka vazhduar të rezistojë, pas çka është kërkuar ndërhyrje nga Policia dhe është ndërprerë votimi, për të vazhduar sërish pas 20 minutash, transmeton “Zhurnal”.
Në Qendër, ndërkaq, OJQ “Civil” ka raportuar për një seri problemesh.
Në vendvotimin nr. 2817, vëzhguesi i “Civil” ka vërejtur votim publik. Në po këtë vendvotim, vëzhguesi i kësaj organizate është penguar në kryerjen e detyrës së vëzhgimit, si dhe është në marrë pyetje nga një efektiv policie, për ta pyetur sesi financohet kjo organizatë.
Në disa vendvotime të tjera, janë vërejtur para objekteve metodat e agjitimit partiak dhe të evidentimit të votuesve.
“Civil” raporton se në shumë vendbanime janë shpërndarë fletushka me datë të gabuar të rivotimit, si një mënyrë për t’i mbajtur në shtëpi personat në moshë të shtyrë.
“Duhet të konstatojmë se nuk kemi hasur deri tani një kreativitet të tillë të falsifikimit dhe të manipulimit të zgjedhësve. Maqedonia vijon të jetë dhe një shembull për manipulimet zgjedhore”, thonë nga “Civil”. /Telegrafi/


















































