LAJMI I FUNDIT:

Në DMEXCO 2018 po prezantohen kapacitetet e Kosovës në ekonominë digjitale

Në DMEXCO 2018 po prezantohen kapacitetet e Kosovës në ekonominë digjitale

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, po e prezanton Republikën e Kosovës në ngjarjen më të madhe të ekonomisë digjitale, marketingut dhe inovacionit DMEXCO 2018, që po mbahet në Këln të Gjermanisë, vendi kyç ku takohen liderët botëror të ekonomisë digjitale, marketingut dhe inovacionit.

Pjesëmarrja e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me përfaqësuesit e saj, po bëhet me kërkesë të komunitetit të ekonomisë digjitale dhe në pajtim me Programin e Qeverisë dhe Planin e punës së Ministrisë për vitin 2018.


Përmes këtij panairi po synohet ndërkombëtarizimi i ekonomisë kosovare, thithja e investimeve të huaja, ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes komunitetit tonë bashkëpunëtorëve të huaj, si dhe promovimi i Republikës së Kosovës dhe inkuadrimi në zinxhirët e vlerave ndërkombëtare të ekonomisë. Aty po prezantohen potencialet e Kosovës në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë, si dhe ndërmarrjet kosovare të këtij sektori me të arriturat e tyre në vitet e fundit.

40 mijë vizitorë nga gjithë bota do të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit dhe trendet e ekonomisë digjitale, si dhe do të kenë mundësi të informohen me kapacitetet e Kosovës në fushën e ekonomisë digjitale dhe për mundësitë e investimeve në këtë fushë të re të ekonomisë.

Republika e Kosovës në DMEXCO 2018 bashkë me ndërmarrjet kosovare po prezantohet në krah me liderët botërorë të fushës, madje në të njëjtën hapësirë me Google, Facebook, Adobe, IBM, Microsoft dhe Youtube.

Në panairin e ekonomisë digjitale, marketingut dhe inovacionit DMEXCO 2018, që po mbahet më 12 dhe 13 shtator, në Këln të Gjermanisë, do të jenë të pranishëm edhe një numër i i ndërmarrjeve kosovare si Telegrafi, Hallakate, LinkPlus, Kutia, Dukagjini, etj, të cilat janë edhe iniciatorë të kësaj pjesëmarrje.

Në DMEXCO 2018 prezantojnë punën e tyre 1 mijë kompani ndërkombëtare para 40 mijë vizitorëve dhe kjo është mundësi e mirë për ndërmarrjet kosovare për krijim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë digjitale, marketingut dhe inovacionit. /Telegrafi/