Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova e kanë marrë rrugën drejt Rio de Janeiros në Brazil, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, i cili fillon sot dhe zgjat deri më 31 gusht.

Xhudistet pejane i kanë bërë të gjitha përgatitjet për evenimentin më të rëndësishëm të këtij viti, ku sigurisht synojnë të dalin të suksesshme.


Derisa Majlinda (52kg) është bartëse e grupit dhe llogaritet ndër favoritet për medalje, Gjakova (57kg), Botërorin e nis si e 27-ta e ranguar në ranglistën botërore dhe shpreson të ketë fat, për të depërtuar në 8 të parat.

“Në stërvitjen e parë që e zhvilluam në Rio, vajzat po duken në formë të mirë dhe të disponuara për luftë. Gjithsesi, s’kemi ardhur në Brazil për turizëm. Majlinda pretendon dhe ka gjasa të marrë medalje, ndërsa Nora s’është bartëse e grupit dhe shpresojmë të futet në mesin e 8 të parave”, ka thënë për Express trajneri i tyre, Driton Kuka.

Garat për Majlindën fillojnë të martën, kurse për Norën të mërkurën. Ato do t’i nisin luftërat në kategoritë përkatëse në ora 10:00 në arenën Maracana’, respektivisht nga ora 15:00 me orën tonë.

Në kategorinë 52 kg janë lajmëruar 43 pjesëmarrëse nga mbarë bota. Përpos Majlindës, në mesin e favoriteve për medalje janë edhe japonezja Hashimoto, kubanezja Yanet, francezja Gneto, rusja Kuzyutina, pra do të jetë një konkurrencë e fortë.

Në kategorinë 57 kg, ku merr pjesë Nora, janë lajmëruar 54 garuese e favorite janë: francezja Pavia, japonezja Yamamoto e braziliania Silva.

Në përgjithësi janë lajmëruar 135 shtete pjesëmarrëse në Botërorin e Brazilit, në të cilin vend është mjaft i popullarizuar ky sport dhe me të merren rreth 2 milionë sportistë. /Express/Telegrafi/ 

telegrafi sport app