LAJMI I FUNDIT:

Në atelienë dhe galerinë e skulptorit dhe mjeshtrit të qeramikës, Vasillaq Kolevica

Në atelienë dhe galerinë e skulptorit dhe mjeshtrit të qeramikës, Vasillaq Kolevica

Në Kamenicë të Korçës ka vite që është zbuluar një vendbanim i lashtë. Njihet si Tuma e Kamenicës dhe në të janë gjetur pos varreve edhe 3500 objekte. Disa nga to i takojnë zejes së poçerisë, një traditë kjo që vazhdon për mbi tremijë vite në rajonin e Korçës. Trashëgimtari më i denjë i kësaj tradite sot është Vasillaq Kolevica.

Kolevica vjen nga një familja artistësh. Babai i tij ishte piktor; e ëma e tij ishte pianiste. Muzikant ishte edhe gjyshi i tij Ilo Moska, një nga themeluesit e Korit të famshëm “Lyra” të Korçës. Fatkeqësisht, prindërit e tij përndiqen nga regjimi komunist. Babai dhe nëna e tij do të vuajnë shumë vite burg. Kjo “njollë në biografi”, sipas standardeve morbide komuniste, bëri që atij t’i mohohet dëshira të mbaronte Liceun Artistik të Tiranës e të ndiqte ëndrrën që të bëhej piktor si babai i tij Dhimitraqi. Atë më 1974 e dërgojnë të punojë në Poçerinë e Korçës, që të bëhet zanatli.


Disa nga pikturat e Dhimitraq Kolevicës. Në to mund të shihet portreti i punuar në burg i intelektualit dhe priftit ortodoks Irin Banushi, që vuante dënimin bashkë me piktorin korçar.

“Ishte një thyerje shpirtërore për mua. Babai nuk donte që unë ta pësoja, ndaj insistoi t’i përkushtohesha punës. Madje, më tha këtë këshillë të mirë: puno, sepse arti mund të bëhet edhe nga balta”, thotë Kolevica.

Pa dëshirën e tij iu përkushtua poçerisë, por damari i artistit e shtyu të hulumtonte përtej asaj që ofronte punishtja e Korçës. Ai do të punojë jashtë orarit të rregullt, me dëshirën për të bërë art, ndërsa do të zgjerojë bashkëpunimin me disa mjeshtër të moshuar të fshatit Bradvicë.

“Në atë fshat nuk mbillej pothuajse asgjë. Por, banorët e 300 shtëpive aty ia dinin të mbijetonin me këtë zeje. Nga ta mësova shumë gjëra nga tradita”, thotë ai.

Pamje nga galeria dhe punimet e Vasillaq Kolevicës

Kështu, Kolevica nisë të studiojë motivet dhe format e lashta. Më 1986 do të marrë pjesë në Festivalin e Kulturës Popullore në Shkodër, ku prezanton 150 objekte autoktone të frymëzuara nga zona arkeologjike e Maliqit (vendbanim që ishte liqen deri më 1946, e ku pas tharjes u zbuluan objekte të shumta ilire). Kur në këtë festival e fiton çmimin e parë në qeramikë, kjo ishte shtytja që ai të mos i ndahet kurrë poçerisë. Pas këtij viti, çmimet mirënjohjet do t’i shtohen, si dhe pjesëmarrjet në ekspozita kolektive e individuale anekënd Shqipërisë. Ndërsa, më vonë do ta realizojë edhe ëndrrën e tij për t’u bërë artist “me diplomë”, meqë do ta mbarojë Skulpturën në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.

Punëtorinë e parë do ta hapë te Pazari i Vjetër i Korçës, me një furrë të vogël. Më 1994 do ta kontaktojnë disa investitorë italianë, të interesuar që punimet e tij të plasohen në tregun perëndimor. Duket pabesueshme, por deri në 25 kamionë në vit, të mbushura me vepra të Kolevicës, janë dërguar drejt Italisë. Kursimet nga ai fitim i investoi në atelienë dhe galerinë më të madhe në rajon e më gjerë, që është pjesë e guidave për Korçën.

“Galeria ime është 24 orë e hapur për çdo të interesuar”, thotë ai, teksa shton se pranon me mijëra vizitorë gjatë vitit. “Disa duan të shohin, disa të blejnë, e disa të mësojnë diçka nga arti im dhe nga zeja e poçerisë”.

Pamje nga galeria dhe punimet e Vasillaq Kolevicës

Profesori Sadik Spahija, që është një nga skulptorët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, për Kolevicën thotë se është një prej emrave më të rëndësishëm të qeramikës shqiptare.

“Vjen nga një vend i traditës së poçerisë; i njeh teknikat e hershme, por me punë të jashtëzakonshme ia ka dalë t’i japë dimensione të reja qeramikës artistike. Krijimtaria e tij në këtë lëmi është e gjerë, qoftë te qeramika funksionale – me një larmi të madhe objektesh të shërbimit – qoftë te kërkimet e lira të qeramikës artistike, ku ka një gamë të madhe punimesh – që nga plastikat e lira të dimensioneve të ndryshme apo propozimet e projektet për vepra publike në qeramikë”, thotë Spahija.

Por, kërkimi i Kolevicës shtrihet edhe jashtë kësaj materie, sepse ai punon po ashtu me gurin dhe drurin.

“Është i lidhur me materialet natyrale”, shton Spahija. “Është edhe mjeshtër i drurit e gurit, por pesha e rëndesës tek ai mbetet qeramika”.

Pamje nga galeria dhe punimet e Vasillaq Kolevicës

Disa nga veprat e Kolevicës janë të ekspozuara në qytetin e Korçës, si vepra publike në dimensione të eksterierit.“Në Korçë janë tetë skulptura të miat nga guri”, thotë Kolevica, teksa shton se ndihet i privilegjuar për nderin që ia ka dhënë qyteti i tij.

Ditë më parë, revista “DesignBoom” ka shkruar për “maskat e komedive dhe tragjedive që i përkasin ikonografisë së teatrit të cilat u janë bashkuar 140 maskave më të vogla”. Këto vepra janë vendosur te Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Ato janë punuar nga Spahija dhe Kolevica. Të dy këta kanë punuar në Tushemisht të Pogradecit edhe skulpturën e Tetos Ollga, personazhit të filmit “Zonja nga qyteti”, i luajtur nga Violeta Manushi.

Skulptura “fatlume” e Teto Ollgës…

“Kjo është ndoshta skulptura më me fat në Shqipëri, sepse të gjithë duan të fotografohen aty”, thotë Kolevica, i cili ndihet keq kur sheh që për rininë nuk ka shumë mundësi punësimi. “Zeja e poçerisë nuk është zhdukur kurrë. Duhet të hapen shkollat me zanatet tradicionale, që të ruhet tradita dhe të ketë punësime për të rinjtë”.

Teksa në vitet ’30 të shekullit të kaluar, gazetarja Paule Fercoq de Leslay, Korçën e quajti “krenari e intelektualëve shqiptare”, sot nuk vlen e njëjta përderisa shumë korçarë kanë marrë rrugën e mërgimit e të tjerët të ardhmen e shohin në Tiranë. Këtij realiteti të hidhur, Kolevica ia ka kushtuar një skulpturë.

“Skulptura ka një boshllëk. Kjo është Korça, nga ku po ikin vlerat, intelektualët, e qytetit po i mbetet vetëm fytyra e bukur”, thotë artisti që nuk e braktisi qytetin e tij. “Gjërat mund të ndryshojnë për të mirë, por për këtë ne korçarët duhet të jemi më këmbëngulës. Në këtë drejtim, të ndryshimit pozitiv, të gjithë ne duhet të punojmë”. /Telegrafi/

Korça… e Kolevicës…

Në trend Kultura

Më shumë
Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Analiza
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Kulture
BEHAR

BEHAR

Poezi
UNË, BIRI YT, KOSOVË

UNË, BIRI YT, KOSOVË

Poezi
Vdekja e Skënderbeut, sipas legjendave të popullit

Vdekja e Skënderbeut, sipas legjendave të popullit

Kulture
Kalo në kategori