LAJMI I FUNDIT:

NE, ATA DHE PËRBINDËSHI

NE, ATA DHE PËRBINDËSHI

Ne dhe ata, në fund të fundit ne jemi vetëm njerëz të thjeshtë; unë dhe ti, kjo s’është ç’ka do të bënim me dëshirë, Zoti e di; zi dhe kaltër, dhe kush e di cili është cili e kush është kush…?

MISH PËR TOP


Karl Heinz Vogeley ishte ushtar 16-vjeçar kur trupat sovjetike u futën në qytetin e tij Haldensleben, më 1 qershor 1945.

“Nuk kisha bërë asgjë”, do të thotë ai më 2010, në një intervistë për javoren gjermane Spiegel.

Vogeley ishte i bindur se do të lihet i lirë por, për fat të keq, si shumë të tjerë, dërgohet në gulagët e tmerrit të Bashkimit Sovjetik (BRSS). Tetë vjet më vonë do të lirohet. Si 24 vjeç. Në stacionin e trenit babën mezi e njohu, nënën s’e kishte gjallë. Shumë shokë të tij nuk ishin në këtë botë; shumë të tjerë kishin ndërtuar jetë të re, kishin punë, shtëpi e familje. E, ai do të mbetej të vuajë tërë jetën për vitet më të mira që i humbi në Ferr dhe me kujtimet që do ta ndjekin si mallkim!

Deri në 7.6 milionë gjermanë u zunë robër lufte në vitin 1945; afro tre milionë veç në BRSS ku, sipas statistikave sovjetike, në kampe kanë vdekur 357 mijë prej tyre. Shifrat reale flitet të shkojnë në një milion.

Këta robër ishin të rinj që me detyrim u mobilizuan për të mbrojtur kauzën e çmendur të Adolf Hitlerit. Ata e vuajtën luftën dhe paqen, sepse u detyruan të kryejnë punët më të rënda në shtetet ku u zunë rob. Ata ishin fëmijë, që qanin për nënat, po për fituesit e luftës ishin gjermanë e gjermanët nuk ishin as njerëz!

Në Danimarkë u kapën dymijë prej tyre, shumica të mitur, që u përdorën si mish për top për të pastruar bregdetin nga minat – për të larë gjynahet e “strategëve” që urdhëruan vendosjen nga bindja se përmes këtij shteti do të ndodhte një invadim i forcave aleate. Mbi njëmijë nga këta robër u vranë e u sakatuan.

Drejtësia shkelej nga ata që e kërkonin më parë. Lufta fshin moralin dhe arsyen. Të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë. Hakmarrja është ndjenja më e fortë e falje nuk kishte! Këtë realitet e shpërfaq edhe filmi danez “Under sandet” (Nën rërë, 2015), një film për natyrën e ligë të njeriut – për të vërtetën e harruar e të fshehur me vite.

LUFTA PAS LUFTËS

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) la 11 milionë ushtarë të vdekur, shtatë milionë civilë të vrarë dhe shumë probleme tjera. Austria ishte e cunguar e pa dalje në det. Shteti i vjetër e i fuqishëm, në oborrin e perandorit të të cilit “përfundonte Evropa”, ishte bërë vend i banorëve të pashpresë se do të mund të mbijetonin në realitetin e ri. Gjermania ishte e gjunjëzuar dhe e përbuzur nga reparacionet e papërballueshme. Situata më e mirë nuk ishte as me Italinë, e cila në fillim të kësaj lufte kishte qenë pjesë e Boshtit të udhëhequr nga Gjermania, për çka nuk përfitoi shumë nga “plaçka” e luftës.

Shumë shtete në Evropë u kapluan nga krizat ekonomike e nga qeveritë e paafta, të cilat nuk ia dilnin të zgjidhnin problemet. Gjermania dhe Italia e pasluftës karakterizoheshin nga inflacioni i lartë, nga papunësia dhe nga pabarazitë sociale. Populli ishte i lodhur dhe kërkonte zgjidhje. E, zgjidhja shihej te ofertat e reja politike, tek ata që propagandonin programe sociale dhe që ishin të zëshëm në kritikat ndaj pushtetarëve të dikurshëm e të tashëm.

Kështu nis një ndarje e llojit “Ne” dhe “Ata”. “Ata” ishin ata që janë në pushtet; “Ne” ishin të tjerët, ata që premtojnë ndryshimin, drejtësinë, barazinë e mirëqenien për të gjithë. Por, në fakt, në këto premtime shumëçka ishte mashtrim.

Shembull i këtij mashtrimi është e kaluara e shqiptarëve. Në Shqipëri, në kohën e mbretërisë së Ahmet Zogut, krahasimet e zhvillimit ekonomik i bënin me vitin 1912. Viti 1912, kur Shqipëria ishte e copëtuar, e varfër, e shkallmuar përtokë, ishte pikë referimi për të treguar se sa zhvillim ka sjellë Zogu. Mbreti i vetëshpallur me “aristokratët” e tij ishin “Ne”, e “Ata” ishin të tjerët para tij, përfshirë nënshkruesit e Pavarësisë. Ndërkaq, në kohën e komunizmit të Enver Hoxhës, viti i krahasimit ishte 1938, vit ky kur Zogu ishte në pushtet. Nuk ishte as viti 1939, as 1940, e sidomos jo ai i vitit 1941 i pushtimit italian dhe i bashkimit me Kosovën, kur me një elitë tjetër politike antizogiste në pushtet, vendi përjetoi zhvillim më të madh – sidomos në arsim – se në vitin 1938. Enveri ishte “Ne”, Zogu me të tjerët ishin “Ata”. Por, edhe “Ne” e edhe “Ata” ishin larg, shumë larg shtetit dhe shoqërisë normale!

E njëjta vazhdon edhe me Kosovën. “Ata” që ishin më parë janë veç të këqij. E, me të keqen bëhet krahasimi nga ata që thonë se janë të mirë – nga “Ne”! Në krahasimet e tilla, Friedrich Nietzsche – në veprën “Përtej të mirës dhe të keqes” – paralajmëronte: “Ai që lufton përbindëshat duhet të ketë kujdes të mos bëhet përbindësh. Kur ia ngul gjatë sytë humnerës, humnera t’i ngul sytë ty”!

BARAZIA ME PABARAZI

Lufta e Parë Botërore vuri në pah edhe krizën ekonomike e sociale në Rusi, për çka më 1917 nis i ashtuquajturi Revolucioni i Tetorit që përmbyti sistemin monarkist. Menjëherë pas këtij revolucioni nis Lufta Civile Ruse (1917-1922), mes Ushtrisë së Kuqe të komunistëve, Ushtrisë së Bardhë monarkiste që kishte mbështetjen edhe të shteteve të Perëndimit, Ushtrisë së Gjelbër të fshatarëve dhe Ushtrisë së Zezë të anarkistëve. Kjo luftë la nëntë milionë të vdekur, por përfundoi me triumfin e komunistëve, triumf ky që do të frymëzojë shumë popuj në botë që të luftojnë për një sistem shtetëror që proklamon barazitë shoqërore, pa marrë parasysh pasojat! Sepse, populli i lodhur besonte dhe e donte ndryshimin. Në kohë të absurdit është i prirë të besojë, më shumë sesa të rezonojë. Ndaj, zgjedh armikun e armikut!

Kështu, Benito Mussolini dhe Partia e tij Nacionale Fashiste ishin zgjidhja që populli e kërkoi dhe e deshi në Itali. Ndërkaq, Adolf Hitleri dhe Partia e tij Nacional Socialiste ishin zgjidhja që populli e donte në Gjermani. Që të dy këta refuzonin ideologjitë e marksizmit dhe liberalizmit, por dallonin te “ideali” më i lartë. Për fashistët kryesori ishte shteti, për nazistët ishte raca superiore ariane – gjermane. Në anën tjetër, komunizmi sovjetik nën Josif Stalinin ishte ideologji “globale”, përtej racës dhe shtetit – për shoqëri pa klasa e barazi të të gjithë proletarëve në botë.

Komunizmi, fashizmi dhe nazizmi promovonin mirëqenien ekonomike për të gjithë. Ç’është e vërteta, këto sisteme sollën ulje të papunësisë, shkollim e kujdes shëndetësor falas, mbështetje për familjen dhe për fëmijët, për të papunët dhe për invalidët, pensione dhe pushime të garantuara për të gjithë, mbrojtje dhe siguri sociale. Këto sisteme instaluan edhe meritokracinë. Secili, pa marrë parasysh origjinën, me edukim e përkushtim mund të arrinte majat e shoqërisë. Por, natyrisht, kjo vlente për ata që mendojnë si “Ne”, pra si sistemi. Sepse, komunizmi, fashizmi e nazizmi ishin sisteme autoritare. Ato e kufizuan lirinë e të shprehurit, shtypin dhe zgjedhjet e lira. Ndërsa, arrestoheshin dhe eliminoheshin ata që mendonin ndryshe dhe që perceptoheshin si kërcënim për sistemin, brenda dhe jashtë tij. Në BRSS p.sh., gjatë Spastrimit të Madh në Partinë Komuniste, në mesin e zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve të Ushtrisë së Kuqe, vriten mbi një milion “të dyshuar” që mendonin si “Ata”!

BOTA U TAKON JUVE

BRSS-ja, Italia e Gjermania në vitet ’30 të shekullit të kaluar, udhëhiqeshin kryesisht nga ata të moshës 30 deri në 40-vjeçare (pos liderëve që ishin më në moshë). Ndërsa, rekrutimet bëheshin përherë nga të rinjtë, te shtresa e ndjeshme dhe ambicioze që bëhej lehtë për vete. Komunistët kishin Lëvizjen e Pionierëve, fashistët kishin Rininë Italiane të Liktorit, e nazistët kishin Rininë e Hitlerit. Dy këto të fundit vepronin edhe si grupe paramilitare që sulmonin të gjithë të tjerët që nuk bëheshin pjesë e tyre. Në rastet e tilla, kur rinia dëshironte të dëshmonte bindjen ndaj sistemit dhe kur kishin edhe autoritetin e ushtrimit të forcës, e mbrapshta e kaplon lehtë vendin.

Shembull për këtë është Revolucioni Kulturor kinez që nisi më 1966, i nxitur nga Mao Zedong që të rinjve u tha: “Bota u takon juve; e ardhmja e Kinës u takon juve”! Si shumë diktatorë paranojakë, ai mendonte se disa persona në Partinë Komuniste të Kinës komplotonin duke devijuar nga “rruga e drejtë”. Ndaj, thirri rininë të spastrojë këto elemente revizioniste dhe të rikthejë në vend frymën revolucionare. Kështu, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët formojnë grupet paramilitare, të ashtuquajturën Garda e Kuqe që sulmon të vjetrit dhe intelektualët. Shkollat u mbyllën dhe u shndërruan në objekte torturash e hetimi. Vlerat tradicionale u përdhosën, shtëpitë bastiseshin, digjeshin librat, revistat, veprat e artit, objektet e kultit dhe artefaktet historike… Ata që nuk pëlqeheshin turpëroheshin, torturoheshin dhe vriteshin. Shumëkush, për të shmangur torturat, bënte vetëvrasje. E, Mao i ndalonte policët të kryenin hetime, sepse dhuna e kaosi për të ishin simbol i revolucionit. Mu për këtë, nuk dihet ende saktë se sa njerëz humbën jetën gjatë këtij revolucioni të tmerrit: 500 mijë, dy apo tetë milionë?!

Rreziku i tillë kurrë nuk shmanget. Filmi gjerman “Die Welle” (Vala, 2008), i regjisorit Dennis Gansel, tregon se si gjenerata e re gjermane nuk besonte se diktatura mund të rikthehej në vend, por kur vendosin t’i binden profesorit, kur identifikohen si grup unik në qëndrime dhe uniformë, shpejt sillen si nazistët e dikurshëm. Gansel inspirohet nga eksperimenti “Vala e tretë”, që është kryer më 1967 nga profesori Rone Jones, në një shkollë të Kalifornisë, në kohën kur Revolucioni Kulturor bënte kërdi në Kinë. Në tentimin për t’ju treguar nxënësve se si gjermanët u bindeshin nazistëve, me disiplinë nxit injorancën e me një moto identifikuese – “Forca përmes disiplinës, forca përmes komunitetit, forca përmes veprimit, forca përmes krenarisë” – nis shkatërrimin e demokracisë.

DH… P…

Te “Libri i zi i komunizmit”, që mëton të dokumentojë shtypjen në shtetet komuniste, shkruhet se në shtetet komuniste në botë, totali i viktimave mund të arrijë në 100 milionë. Ndërsa, numri i viktimave të nazi-fashizmit është 25 milionë. Ky është bilanci i ndarjes bardhezi në “Ne” dhe “Ata”! Këto vdekje dhe tmerri që i shkaktoi ato, prekën miliona e miliona jetë të tjera, shumica nga të cilët të rinj.

Fat të tillë kishte poeti dhe dramaturgu Wolfgang Borchert, që pa dëshirën e tij u dërgua në Frontin e Lindjes, ku u përball me plumbat e armikut, të ftohtit, urinë dhe përbuzjen e të tijve – oficerëve dhe ushtarëve gjermanë. Vuajtjet ia sollën vdekjen menjëherë pas lufte, në moshën 26-vjeçare. Në dramën “Jashtë derës”, që është si një autobiografi, ai thotë se u tradhtuan kur ishin fare të vegjël: “Kur u rritëm ca, na flisnin për luftën… Dhe, kur pastaj ne u rritëm më tepër, ata e sajuan një luftë edhe për ne… Askush nuk na tha se po shkonim në Ferr… Përkundrazi, na mbytën me marshe dhe kremtime. Me komunikata ushtarake dhe plane marshimi. Me këngë heronjsh dhe dekorata gjaku… Na nisën në front. Pa na thënë asgjë. Vetëm: ‘Ju vaftë mbarë, djema!’… Tani del se nuk na nisi askush… Tani të gjithë rrinë brenda dyerve të tyre. Dyert i kanë mbyllur paq, ndërsa ne qëndrojmë jashtë. E, prej katedrave e kolltukëve na tregojnë me gisht. Ja, kështu na tradhtuan. Na tradhtuan në mënyrë të tmerrshme. Dhe tani kalojnë shpërfillës pranë viktimave të tyre. Ata kalojnë të paturbulluar pranë vrasjes së tyre”!

Ashtu shpërfillës kalonte Mao, i cili kur sheh se nuk shkoi mirë reforma ekonomike e sociale e quajtur Hapi i Madh Para (gjatë së cilës humbin jetën 18-55 milionë kinezë), në një takim partiak më 1959, tha: “Shokë, ju të gjithë duhet të analizoni përgjegjësitë që keni. Nëse duhet të dh…, bëjeni! Nëse duhet të p…, bëjeni! Do të ndihemi më mirë pas kësaj”! Ndërsa, kur më 1968 sheh se Revolucioni Kulturor po dilte jashtë kontrollit, vendos të dërgojë miliona nga këta të rinj të qyteteve lartë në male e poshtë në fshatra, për t’u edukuar nga bujqit e çobanët, e duke lënë kështu qytetet me analfabetë.

“Lart e poshtë, e në fund vetëm sillet e sillet, e sillet”, këndojnë Pink Floyd për shumicën e thjeshtë te “Ne” dhe “Ata” (Us and Them, 1973), që nxiten në urrejtje nga propaganda, nga urdhrat që vijnë nga fundi, nga gjeneralët që rrinë ulur duke bërë vija në harta e ku viktima janë ushtarët e rinj në rreshtat e parë të cilët kur e shohin vdekjen me sy, thonë: “Kjo s’është ç’ka do të bënim me dëshirë, Zoti e di”!

Lufta nxitet dhe shpallet me fjalë. Dishepujt prapë po kërkohen tek rinia, nga ata që po plaken pa lëshuar postet. Degradimi i diskursit politik mes shqiptarëve po nxit ndarjen e “epokave” në “Ne” dhe “Ata”. Por, asgjë nuk fillon nga sot dhe asnjëherë nuk mund të shlyhet e kaluara, qoftë e mirë apo e keqe. Pas përmbysjes së Monarkisë franceze më 1792, revolucionarët francezë e synuan këtë kur shpallën kalendarin e ri me Vitin 1 (si dhe gjatë Komunës së Parisit më 1871). Kmerët e Kuq të Pol Potit shpallën Vitin 0 në Kamboxhia, më 1975. Por, këta kalendarë patën jetë të shkurtë. Jemi në vitin 2017. Vitin e kaluar ishte viti 2016! Sepse, siç ka thënë Mao: “Sillu-pështillu, prapanicën gjithmonë prapa do ta kesh”!

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori