LAJMI I FUNDIT:

Në 10 lokacione në Kosovë do të hulumtohet për varreza masive

Në 10 lokacione në Kosovë do të hulumtohet për varreza masive

Gjatë këtij viti, nga Serbia ende nuk ka pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të pagjetur të Kosovës, por puna dhe komunikimi ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar, konfirmojnë zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës.

Më 6 tetor të vitit 2018, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, për personat e pagjetur, kanë arritur pajtimin, i cili obligon të dyja vendet për lehtësimin e procedurave të riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të identifikuar, të cilët më parë ishin të pagjetur.

Kushtrim Gara, udhëheqës njësi në kuadër të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, thotë se me përmirësimin e kushteve klimatike, pritet që puna në terren për hulumtimin e varrezave të mundshme masive, të intensifikohet.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

“Punë ka në vazhdimësi. Në këtë rast edhe komunikimi ndërmjet palëve është i vazhdueshëm, ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe delegacionit të Serbisë. Ne tash, me përmirësimin e kushteve të motit kemi vazhduar ose kemi nisur edhe me punën në terren. Puna në terren, në këtë rast, gërmimet vlerësuese dhe zhvarrimet e mbetjeve mortore që realizohen, pastaj ka një procedurë të nevojshme mjeko-ligjore në përpjekje për t’i identifikuar mbetjet mortore që zhvarrosen”.

“Në qoftë se mbetjet mortore, pastaj, mund të ndërlidhen me rastet që janë në interes edhe të palës tjetër, atëherë që sigurisht që do të vazhdohet komunikimi, në respektim të procedurave të marrëveshjes që i referohemi, por edhe marrëveshjeve paraprake”, theksoi Gara.

Ai shtoi se tashmë është java e dytë që pala e Kosovës po i zhvillon punimet në terren, brenda territorit të vendit dhe tashmë gërmimet që janë zhvilluar kanë dhënë rezultate.

“Kjo javë është dyta e fillimit të punimeve në terren. Këtë javë janë planifikuar të hapen tre lokacione (për gërmime). Javën e kaluar i kemi pasur dy lokacione në të cilat tashmë është punuar dhe nga këto dy lokacione ka pasur edhe gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore”.

“Por, do të jemi të kujdesshëm, në kuptimin e interpretimit të numrave të mbetjeve mortore apo individëve që janë zhvarrosur, sepse në këtë rast janë duke u zhvilluar procedurat e nevojshme mjeko-ligjore dhe të identifikimit përmes analizës së ADN-së, që do të përcaktojë numrin e mbetjeve mortore apo individëve të zhvarrosur dhe pastaj edhe përkatësinë etnike, gjinore dhe të tjera, që janë të nevojshme”, tha Gara.

Sipas tij, deri më tash janë rreth 10 lokacione të dyshuara si varreza të mundshme, për të cilat është siguruar urdhëresa e nevojshme nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për fillimin e hulumtimit dhe gërmimit në ato lokacione .

Ndërkaq, Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se gjatë dy vjetëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka bërë punë më dinamike lidhur me çështjen e personave të pagjetur.

“Familjarët, në dy vjetët e fundit kanë bashkëpunim më të mirë se sa në vitet e kaluara me institucionet e Kosovës, sepse Qeveria e re ose e tanishmja, ka marrë hapa më të mëdhenj për punë rreth këtij procesi. Kështu që shpresoj që me një trysni të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, mbi Qeverinë e Beogradit, do të kishim ndoshta rezultate më të mira dhe do të vinte deri te zbulimi dhe identifikimi i varrezave masive në Serbi”, theksoi Grajçevci.

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë theksuar se gjatë kësaj jave do të mbahet një takim i delegacioneve nga vendet e rajonit, që janë kompetente për personat e pagjetur, për të biseduar për çështjen e mbetjeve mortore të gjetura, por të paidentifikuara.

Aktualisht ende mbetet i pazbardhur fati i mbi 1 mijë e 600 personave të pagjetur, që nga lufta në Kosovë, e vjetëve 1998 dhe 1999. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori