Ndryshon përkufizimi i insuficiencës së zemrës: Edhe kur zemra pompon “normalisht”, problemi mund të ekzistojë

Një tregues që për vite ka pasur peshë të madhe në vlerësim nuk mjafton më i vetëm – ekspertët kërkojnë që zemra të shihet në një tablo shumë më të gjerë
Organizatat kryesore botërore të kardiologjisë kanë prezantuar një përkufizim të ri universal të insuficiencës së zemrës, vetëm pesë vjet pas standardit të parë ndërkombëtar.
Dokumenti “Second Universal Definition of Heart Failure” është publikuar më 29 qershor 2026 dhe është hartuar nga American Heart Association (AHA), American College of Cardiology (ACC), European Society of Cardiology (ESC) dhe World Heart Federation (WHF), në bashkëpunim me organizata të tjera profesionale. Ai është botuar në revistën shkencore Circulation.
Sipas ekspertëve, insuficienca e zemrës nuk është një gjendje statike dhe nuk mund të përcaktohet vetëm nga një numër apo një matje e vetme.
Përkufizimi i ri synon diagnostikim më të saktë, zbulim më të hershëm të rrezikut dhe trajtim më të individualizuar.
Sipas AHA-së, insuficienca e zemrës prek më shumë se 64 milionë të rritur në mbarë botën.
Fraksioni i ejeksionit nuk tregon gjithçka
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me fraksionin e ejeksionit të ventrikulit të majtë, LVEF – përqindjen e gjakut që barkushja e majtë nxjerr gjatë tkurrjes.
Ky tregues vazhdon të jetë i rëndësishëm, por ekspertët po largohen nga përdorimi i kufijve numerikë tepër të ngurtë.
Arsyeja është se vlerat e LVEF-së mund të ndryshojnë në varësi të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe metodës së imazherisë. Prandaj, një fraksion ejeksioni i ruajtur nuk e përjashton vetvetiu diagnozën e insuficiencës së zemrës.
Korniza e re e ndan insuficiencën e zemrës në tri kategori klinike: me fraksion ejeksioni të reduktuar, të ruajtur dhe të përmirësuar, transmeton Telegrafi.
Gjendja e zemrës mund të ndryshojë me kohën
Dokumenti thekson se insuficienca kardiake është dinamike.
Për herë të parë përcaktohen më qartë dallimet ndërmjet përmirësimit, remisionit dhe rikuperimit. Edhe nëse funksioni i zemrës përmirësohet, kjo nuk do të thotë automatikisht se sëmundja ka përfunduar ose se rreziku është zhdukur.
Pacientët mund të vazhdojnë të kenë nevojë për mbikëqyrje dhe trajtim të përshtatur individualisht.
Shkaqet nuk janë të njëjta te të gjithë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është klasifikimi shumë më i detajuar i shkaqeve të insuficiencës së zemrës.
Në vend të ndarjeve të përgjithshme të mëparshme, ekspertët propozojnë një taksonomi standarde që përfshin ndër të tjera sëmundjen ishemike të zemrës, hipertensionin, problemet e valvulave, sëmundjet infiltrative, infeksionet, inflamacionet, faktorët toksikë, çrregullimet trashëguese dhe metabolike, shtatzëninë, stresin ekstrem dhe sëmundjet kongjenitale.
Identifikimi i shkakut është i rëndësishëm sepse mund t’i ndihmojë mjekët të zgjedhin trajtime më të përshtatshme për secilin pacient.
Rëndësi më e madhe zbulimit para simptomave
Përkufizimi i ri ruan sistemin me katër faza të insuficiencës së zemrës, por i jep rëndësi të veçantë fazës “pre-HF”, kur një person mund të mos ketë ende simptoma, por mund të ketë ndryshime strukturore, funksionale ose tregues të tjerë që sinjalizojnë rrezik të shtuar.
Synimi është që problemet të identifikohen dhe faktorët e rrezikut të trajtohen sa më herët, para se të zhvillohet insuficienca simptomatike.
Mesazhi kryesor i konsensusit të ri është se funksioni i zemrës nuk duhet vlerësuar vetëm nga një shifër. Edhe kur fraksioni i ejeksionit është i ruajtur, tabloja e përgjithshme klinike mund të tregojë se zemra nuk po funksionon siç duhet.
/Telegrafi/




































