Shirat intensivë të ditëve të fundit dhe fryrja tej mase e lumenjve kanë nxjerr në pah edhe një herë tjetër problemin e ndotjes nga mbetjet urbane.

Kjo është panorama që të shohin sytë pas vërshimit të lumit Shkumbin gjatë kësaj jave në gati 5 kilometra vijë bregdetare në plazhin e Spillesë deri në atë të Vilë Bashtovës, që përfshihen nga bashkia Rrogozhinë.

Ndotja dhe sasia e mbeturinave është aq e madhe sa që në disa pjesë të plazhit është e vështirë të dallosh rërë, pasi mbetjet e të gjitha llojeve kanë mbushur gjithë zonën përreth grykëderdhjes së lumit Shkumbin.

Në kohë reshjesh të dendura si ato të kësaj jave, lumenjtë në Shqipëri nuk sjellin vetëm ujë. Bashkë me ujin vërshon edhe lumi i mbeturinave që ato mbledhin gjatë gjithë rrjedhës së tyre, për të përfunduar në det. Dhe nga deti rikthehen në breg. Këto janë vetëm pak, nga ato që janë transportuar nga uji. Sasi të tjera kanë ngecur përgjatë rrjedhës së lumit. Ka këtu shishe, bidonë dhe ambalazhe të ndryshme, që janë hedhur nëpër përrenj nga banorët e zonave.

Katastrofa mjedisore në këtë zonë të bregdetit të Adriatikut vjen si shkak i prurjeve nga lumi Shkumbin, që duke kaluar mes për mes Shqipërisë përshkon 7 bashki dhe ku hedhja e mbeturinave në lum vijon prej vitesh.

Por ndotja nuk është vetëm në bregdet, pasi përgjatë rrjedhës së lumit, në shtratin e tij kanë përfunduar sasi të tjera mbetjesh ndërsa në degët e pemëve kanë ngecur qeset. Prej vitesh Shqipëria vuan problemin e madh të mos menaxhimit të mbetjeve, të cilat hidhen nëpër përrenj e lumenjsh nga banorët por edhe vetë bashkitë, dhe gjatë vërshimit të ujërave krijojnë këtë panoramë.