LAJMI I FUNDIT:

Ndonëse është në fazën finale, vazhdojnë kundërshtimet për Termocentralin “Kosova e Re”

Ndonëse është në fazën finale, vazhdojnë kundërshtimet për Termocentralin “Kosova e Re”

Ndonëse projekti për Termocentralin “Kosova e Re” është në fazën finale, debatet kundërthënëse për realizimin e tij apo ndërprerjen e kontratës me kompaninë fituese “Contour Global”, vazhdojnë të jenë aktuale.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, i bazuar në përfitimin e energjisë nga thëngjilli, jo rrallë herë është kundërshtuar nga disa organizata joqeveritare. Ndërkaq, pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, të cilat e shpallën Lëvizjen Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve, ishte sforcuar ideja që të mos vazhdohet fare me këtë projekt.


Lëvizja Vetëvendosje, e cila gjatë mandatit të fundit ishte në opozitë, ka deklaruar se është kundër këtij projekti, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e cila është në negociata me Vetëvendosjen për koalicion qeverisës, ishte shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, të cilat nuk do të ndikonin në rritjen e çmimit të energjisë.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” ishte një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës në largim, të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Duke u nisur nga opsionet për dhe kundër Termocentralit “Kosova e Re”, në vazhdimësi ishte shtruar edhe dilema se a ka Kosova alternativa tjera për furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike, nëse e refuzon një termocentral të ri.

Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se Kosova ka burime të mjaftueshme për të siguruar energji alter native. Po ashtu, sipas shoqërisë civile, Termocentrali “Kosova e Re”, mund të shtrenjtojë çmimin e energjisë elektrike, madje edhe përtej çmimit të importit.

Përderisa zyrtarë të qeverisë në largim kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk mund të varet nga resurse të ripërtërishme për prodhim të energjisë, siç janë era, rrezet e diellit dhe uji. Për këtë arsye, qeveria në largim kishte mbështetur realizimin e planit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Përfaqësues të Institutit për Politika Zhvillimore, INDP, kanë kërkuar nga qeveria e re, e cila do formohet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që të marrë vendim dhe të ndërpresë kontratën për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe njëkohësisht të marrë masa, siç ishte thënë, për të siguruar burime për energji të ripërtërishme.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në këtë Institut, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, duhet të ndërpritet dhe më pas të diskutohet për potencialet alternative, potenciale këto, që sipas tij, edhe ekzistojnë.

“Nuk kemi nevojë për një termocentral që rritë çmimin e energjisë për trefish, ku atë energji mund të blejmë me një çmim shumë më të lirë, por mund të prodhojmë edhe nga kapacitetet e energjisë së ripërtërishme”, thotë Abazi.

Sipas tij, kushtet atmosferike në Kosovë dhe koha me diell që mbretëron gjatë stinëve të vitit, premtojnë sigurimin e burimeve diellore të energjisë.

“Ne si organizata të shoqërisë civile insistojmë në projektet që për bazë kanë energjinë solare (diellore) dhe atë me erë. Pastaj, në një treg të integruar ne do të kemi qasje nga prodhimi i gjithë rajonit dhe mos të varemi nga djegia e dëmshme e qymyrit të cilën e bënë ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’”, thotë Abazi.

Autoriteti përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë është Korporata Energjetike e Kosovës. Drejtori i kësaj korporate, Njazi Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë, se kapacitetet prodhuese të KEK-ut janë 800 megavat orë energji elektrike. Sipas tij, për të siguruar energji të mjaftueshme për konsumatorët, nevojitet ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike.

Duke mos mohuar rëndësinë e energjisë alternative, Thaçi tha se në rend të parë duhet të sigurohen kapacitetet për prodhimin e energjisë nga thëngjilli, pastaj të shikohen mundësitë për energji alternative.

“KEK-u ka kapacitet prodhues vetëm për 800 megavat orë energji elektrike, nuk ka mundësi të tjera. Prandaj, është shumë e nevojshme fillimi i njësive të reja gjeneruese, siç është ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’, në mënyrë që të mbulohet mungesa e prodhimit të KEK-ut apo sigurimi deri në 400 megavat të tjera”, tha Thaçi.

Thaçi konsideron se nevojat e konsumatorëve gjatë sezonit të dimrit për energji elektrike arrijnë deri në 1.200 megavat orë energji.

Por, përgjegjës për furnizim me energji elektrike është Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), që përkundër insistimit të Radios Evropa e Lirë, nga ky institucion nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se në çfarë forme do të sigurojnë energjinë elektrike, në rast të mosndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij është llogaritur të jetë 40 vjet.

Kosova, llogaritet se ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, në Strategjinë e Energjisë se Republikës se Kosovës për vitin 2017- 2026 thuhet se burimet e ripërtërishme të energjisë paraqesin një burim të rëndësishëm të energjisë me të cilin disponon Kosova, me një potencial ende të pashfrytëzuar sa duhet.

Si anëtare e Komunitetit të Energjisë, Kosova është e obliguar që të arrijë caqet, që deri në vitin 2020 të përmbushë deri në 25 për qind të synimeve të konsumit përfundimtar të energjisë prej burimeve të ripërtërishme.