Ndikimet e rrugës Durrës - Merdare në raportet e Kosovës me Shqipërinë

Rruga Durrës–Merdare pritet te jetë një arterie e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor e sidomos për dy vendet, Kosovën dhe Shqipërinë. Pikë së pari rruga do të shkurtojë kohën e udhëtimit prej Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas nga 6 - 7 orë në 2 orë.
Madhështia e kësaj rruge padyshim se qëndron në bashkimin e njerëzve. Kjo rrugë do të lidh Durrësin me Kosovën, Serbinë, Bullgarinë e Rumaninë. Parashihet që autostrada të hapë portin e Adriatikut në Durrës për këtë pjesë të rajonit.
Impakti që do të sjellë jetësimi i këtij projekti parashihet që të sjellë fitime të mëdha për të dy vendet, Kosovën e Shqipërinë. Fillimisht do të krijojë mundësinë e afrimit në mes të dy vendeve, ku parashihet rritje e marrëdhënieve politike, arsimore, sociale, kulturore, turistike, tregtare e veçanërisht atyre ekonomike.
Parashihet që ndërtimi i kësaj rruge do të sjellë përfitime materiale për të dy vendet. Madje mund të themi se Kosova dhe Shqipëria përveç se do të kenë benefite kombëtare do të kenë edhe benefite ndërkombëtare, për shkak të lidhjes që do të krijoj kjo rrugë për vendet e rajonit.
Vlen të theksohet edhe numri i madh i të punësuarve në përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës, pastaj qarkullimi i mallrave e produkteve të ndryshme, veçanërisht do të lehtësoj shtrirjen, përkatësisht zgjerimin e tregut me konsumatorë të rinj për kompanitë e ndryshme prodhuese në të dy anët e kufirit.
Jemi dëshmitarë se produktet e Shqipërisë kurrë me parë nuk janë shitur në Kosovë, ndoshta në masë tepër të vogël sa për të përmbushur statistikat doganore,m irëpo edhe ato pak produkte që prodhon Kosova nuk janë gjendur në tregun e Shqipërisë.
Kosova është një treg i ri për ndërmarrjet e Shqipërisë dhe anasjelltas, me ç’rast në kohën e fundit është rritur kërkesa për produkte të ndryshme dhe padyshim do të ketë edhe rritje të fitimit dhe njëkohësisht rritje të zhvillimit ekonomik. Me një fjalë është një rrugë mjaft profitabile për shumë sektorë të jetës së qytetarëve të të dy vendeve.
Ndikimet e rrugës do të shihen shumë shpejtë me përfundimin e punës. Do të ketë një komunikim shumë më të madh se sa është tani, rritje e bashkëpunimit në sektorë të ekonomisë, turizimit, kulturës, arsimit e një varg sektorësh të tjerë, të cilët do të ndikojnë në komunikimin më të madh të qytetarëve. Është po ashtu me rëndësi të theksohet përfitimet që do të dalin për bizneset (e karburanteve, hotelerike+ushqimore etj.) përgjatë rrugës.
Ndërtimi i kësaj rruge paraqet projektin më të madh që është punuar ndonjëherë së bashku nga Kosova dhe Shqipëria. Është mundësi jetike e rritjes së lëvizjes së mallrave dhe të njerëzve ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe anasjelltas.
Kjo rrugë po ashtu do të ketë një impakt edhe në zhvillimin e turizmit në bregdetin e Shqipërisë dhe në bukurinë e natyrës dhe maleve të Kosovës. Pra është një shteg që po hapet për zhvillimin e turizmit të të dy vendeve. Në aspektin tjetër krijohet mundësia e komunikimeve më të shpeshta dhe tejkalimi i barrierave ekzistuese ndërmjet njerëzve.
Në kohën e fundit kemi vënë re se komunikimi është në një shkallë relativisht të mirë, mirëpo mund ta imagjinojmë se si do të jetë pas jetësimit të projektit për rrugën Durrës–Merdare. Rruga do të këtë një rëndësi të jashtëzakonshme ngase do të shërbejë edhe si integrim brenda për brenda shqiptarëve.
Me gjithë problemet e vështirësitë që mund të kenë Kosova dhe Shqipëria ato mund të jenë krenare për rrugën që do jetë urëlidhëse në mes qytetarëve të tyre. Pavarësisht kostos së lartë të ndërtimit të kësaj autostrade duhet të jemi koshient për rëndësinë që ky projekt ka për të ardhmen e shqiptarëve dhe për mbarë rajonin.
Mund të jetë mjaft habitëse që kjo autostradë me gjithë rëndësinë që ka për shqiptarët po ashtu paraqet një vlerë edhe për interesat e vendeve të rajonit. Duhet kuptuar se autostrada Durrës – Merdare nuk ishte nevojë, por domosdoshmëri e kohës.




































