LAJMI I FUNDIT:

Ndihma urgjente paraspitalore te lëndimet e abdomenit

Ndihma urgjente paraspitalore te lëndimet e abdomenit

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë

Trauma e barkut ndonjëherë është jashtëzakonisht e vështirë për t’u vlerësuar edhe në mjedis spitalor.


Kjo është arsyeja pse në teren më e rëndësishme është të pranohet se ka ndodhur trauma abdominale dhe është më pak e rëndësishme të përcaktohet se cilat struktura abdominale janë lënduar.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të vihen re dhe të regjistrohen shenjat që tregojnë humbje gjaku për shkak të lëndimit abdominal.

Nuk duhet të shqetësohemi për të përcaktuar nëse burimi i gjakderdhjes abdominale është shpretka, mëlçia apo diçka tjetër.

Ndërkohë ekipi i shërbimit të urgjencës mjekësore në vendngjarje kryen ekzaminimin abdominal, lëndimi serioz i barkut mund të jetë i pranishëm me pak ose aspak shenja ose simptoma.

Abdomeni ndahet nga brenda në tri zona anatomike:

• zgavrën abdominale
• pelviku
• zona retroperitoneale

Vlerësimi

• të sigurohet vendin e ngjarjes, të pacientit dhe të zbatojë masat e mbrojtjes personale
• vlerëso ABCDE

Sipas kritereve për pacient kritik, duhet vlerësuar nëse koha është vendimtare për pacientin.
Nëse koha është vendimtare për pacientin, imobilizoni shtyllën kurrizore cervikale nëse është e nevojshme dhe transportojeni në spital, duke njoftuar spitalin për mbërritjen e pacientit.
Rrugës për në spital – vazhdoni të kujdesin për pacientin.
Në pacientët për të cilët koha nuk është vendimtare për të kryer vlerësim më të detajuar dhe të tjera (sekondare) rishikim.

Në veçanti, duhet të vlerësohen sa vijon:

• Gjoksi dhe barku, sepse shumë organe të barkut mbulojnë brinjët e poshtme dhe kufijtë e poshtëm të gjoksit shtrihet mbi strukturat e barkut (p.sh. mëlçia dhe shpretka)

• Të ekzaminohet barku për plagë të jashtme, kontuzione, gërvishtje të shkaktuara nga rripi i fiksimit, evisceracione (organet që dalin nga muri i barkut)

• Vlerëso butësisht me anë të palpimit, në të katër zonat (kuadrantët) e barkut – sipër majtas, sipër
djathtas, poshtë majtas dhe poshtë djathtas – a ka vende që janë të ndjeshme, që pacienti i mbron apo janë të tensionuara.

• Duhet të merret parasysh dëmtimi i mundshëm i pelvikut dhe brinjët e poshtme duhet të palpohen butësisht për evidentimin e frakturave

• Dhimbja në pjesën e pasme të dy shpatullave mund të tregojë një patologji në zonën e barkut që irriton osiumin, prandaj dhimbja në këto zona shton dyshimin për një dëmtim abdominal.

• Lëndimet e abdomenit nuk guxojnë të eliminohen në stadin fillestar deri të kontrollimi definitive në spital nëse është mekanizëm i rëndësishëm.

Vërejtje

Shumë pacientë më vonë diagnostikohen se kishin trauma të rëndësishme intra-abdominale, tregojnë pak prova ose aspak në një fazë të hershme.

Prandaj, lëndimi nuk duhet të përjashtohet nëse ekzaminimi i primar i shpejtë është normal.

Masat e ndihmës së parë

• Mbulojini zorrët e dala jashtë me kompresa të ngrohta të njomura në tretësirë kristaloidale dhe nëse transporti zgjat më shumë, mbuloni garzën dhe zorrët me material jo ngjitës (qese plastike ose fletë metalike) për të parandaluar tharjen e garzës dhe zorrëve
• MOS u përpiqni t’i shtyni ose ktheni organet përsëri në zgavrën e barkut
• Objektet e ngulitura, p.sh. thika, duhet të lihen në vend, ato do të hiqen nën kontrollin në sallën e kirurgjisë. Siguroni si duhet objektet e shpuara përpara transportit. Nëse objekti pulson, atëherë nuk duhet të imobilizohet plotësisht, por të lihet të pulsojë
• Në dhimbje të forta, duhet të përdoret analgjezia e përshtatshme pasi është treguar se kjo përmirëson trajtimin e mëvonshëm
• Merrni parasysh mekanizmin e lëndimit, nëse është e nevojshme, imobilizoni shtyllën kurrizore
• Çdo gjë që observohet, matet dhe bëhet duhet të dokumentohet

Lidhja e një plage të hapur të barkut a) dalja jashtë e zorrës, b,c,d) mbulimi i plagës me gazë, vendosja dhe mbulimi me gaze të lagësht sterile abdominale

Procedurat te lëndimet me dalje të organeve

Nëse gjakderdhja nuk është e kontrolluar, kompenzimin e fluideve duhet bërë me kujdes për aq sa të mbajmë perfuzionin e kënaqshëm të organeve (qëllimi është që shtypja sistolike 80-90 mmHg).
Duhet transportuar pacientin sa më shpejtë me qëllim të tretmanit në sallën kirurgjike.
Lëndimet e abdomenit mund të jenë topitëse dhe shpuese.
Lëndimet topitëse ndodhin pas shkaktimit të presionit, vjen te rupture ose çarja e organeve kompakte dhe kavitare, mund të vjen deri te shkatërrimi i enëve të gjakut pas veprimit të forcës deceleruese.
Shumë shpesh simptomat manifestohen me vonesë.
Pacienti mund të gjakos e plagët të mos diktohen.
Lëndimet shpuese rëndom ndodhin pas plagëve me mjete të mprehta dhe armë zjarri.

Pozita e Fowlerit

Pozita e Fowlerit, mundëson drenazh të lehtë të rrugëve të frymëmarrjes dhe frymëmarrje më të mirë.
Koka e shtratit është e ngritur dhe pjesa e gjunjëve.
Kjo pozitë mundëson ventilim më të mirë të mushkërive.
Është një pozicion me këmbët pak të përkulura në gjunjë dhe pjesën e sipërme të trupit të ngritur me 45⁰.
Mund të arrihet duke ngritur kokën e barelës kryesore në 45⁰ dhe duke e vendosur të palosur nën gjunjë batanije, çarçaf, dyshek me vakum ose të ngjashme.
Disa barela kryesore kanë mundësinë të palosen në atë pozicion.
Në këtë pozicion, muskujt e murit të barkut relaksohen, duke zvogëluar kështu ndjenjën e dhimbjes së
barkut. Pozicioni indikohet për transportin e pacientëve me dhimbje barku, lëndime barku ose shtatzëna.

Lëndimet e topitura të barkut

Është lloji më i zakonshëm i dëmtimit që haset dhe shoqërohet me goditje të drejtpërdrejtë në bark ose me ngadalësim të papritur.

Lëndimet më të zakonshme në organe janë shpretka, mëlçia, duodeni, zorra e hollë dhe aorta.

Lëndimet depërtuese ose penetrante të barkut

Plagë me thikë, plagë me armë zjarri dhe lëndime të tjera depërtuese.
Në rastin e plagëve me thikë, duhet të supozohet se ato kanë shkaktuar një lëndim të rëndë derisa të vërtetohet e kundërta.
Lëndimet e mëlçisë, shpretkës ose enëve të mëdha të gjakut mund të shkaktojnë gjakderdhje masive. Plagët me thikë në pjesën e sipërme të barkut mund të shkaktojnë lëndime të mëdha brenda kraharorit nëse arma e ftohtë ishte e drejtuar lart.
Në mënyrë të ngjashme, plagët me thikë në zonën e gjoksit mund të shkaktojnë lëndime brenda zgavrës abdominale.
Plagët me armë zjarri zakonisht shkaktojnë lëndime të drejtpërdrejta për shkak të forcave të përfshira dhe trajektores së paparashikueshme të plumbit.

Ngulitja e thikës në abdomen
Veprimet paraspitalore në vendndodhje: fashim, imobilizim dhe transport

Përmbledhje

• Vlerësimi i traumës abdominale mund të jetë i vështirë.
• Nëse dyshohet për lëndim abdominal, mos i drejtoni këmbët (përkeqësimi i gjakderdhjes).
• Është më e rëndësishme të përcaktohet nëse ka ndodhur trauma abdominale sesa të identifikohet struktura e prekur ose më shumë prej tyre.
• Duhet të respektohen shenjat e humbjes së gjakut.
• Vlerësoni mekanizmin e lëndimit.
• Kujdesuni për ABC dhe imobilizoni kolonën vertebrale cervikale (nëse është e nevojshme).
• Pacienti duhet të vendoset në barelë në pozicionin e Fowler, të transportohet në spital dhe të informohet spitali për ardhjen e pacientit

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori