LAJMI I FUNDIT:

Ndërmarrja komunale në Dibër: Pas 25 viteve, pagesa e rrogave përmes bankave

Ndërmarrja komunale në Dibër: Pas 25 viteve, pagesa e rrogave përmes bankave

Ndërmarrjet komunale në vendin tonë në pjesën më të madhe në kontinuitet ballafaqohen me probleme financiare. Ashtu është edhe me ndërmarrjen komunale të Dibrës. Është një ndërmarrje e cila një kohë të gjatë ka probleme ekstreme financiare dhe pasojat kryesore i kanë të punësuarit e saj.

Për shkak të mospagesës së kontributeve për shëndetësi dhe për sigurime pensionale dhe invalidore, punëtorët nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Por, me angazhim të drejtorisë të ndërmarrjes komunale “Standardi”, ka filluar pagesa e rrogave për herë të parë pas 25 viteve nëpërmjet bankave.


Drejtori i ndërmarrjes komunale publike “Standardi”, Burim Kaba për gazetën Koha thotë se me angazhimet e shumta është arritur që të tejkalohen shumë probleme financiare.

“Pas plot 25 viteve ka filluar pagesa e rrogave nëpërmjet bankave. Është një sukses i madh i cili vjen si rezultat i punës së palodhshme që bën drejtoria e ndërmarrjes. Aktivitete që janë ndërmarr së bashku me pushtetin lokal, pushtetin qendror, rritjen e grumbullimit të mjeteve nga faturat si dhe punës ekonomike të ndërmarrjes, u bë e mundshme që pagesa e rrogave të bëhet nëpërmjet bankave. Mund të them se është një moment shumë domethënës për punëtorët e kësaj ndërmarrje”, thotë drejtori Kaba i cili potencon se tani punëtorët mund t’i gëzojnë të drejtat që u takojnë me marrjen e rrogave të përfitojnë kreditë dhe të mirat e tjera bankare.

Drejtori shton se nga dita në ditë përmirësohet situata në ndërmarrje por, qëndron fakti se për shkak të “gropës”, që është prezent disa vite kur nuk janë paguar kontributet, problemet mbeten në sferën e pensionimit por edhe mbrojtjes shëndetësore.

“Në përputhje me ligjin për kontributet duhet që ‘gropa’, disa vjeçare të plotësohet dhe në atë moment do të shfrytëzohen të gjithë të drejtat nga ana e punëtorëve. Është një borxh mbi 1 milion euro i cili duhet t’ju paguhet fondeve të lartpërmendura dhe bëjmë çmos që të tejkalohet edhe ky problem”, thotë Kaba dhe shton se në kontinuitet vazhdojnë kontaktet me institucionet kompetente qendrore dhe lokale për këtë çështje.

Drejtori i ndërmarrjes komunale Burim Kaba i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryetar i asociacionit të ndërmarrjeve komunale në Maqedoninë e Veriut, thotë se bëhen tendenca që Qeveria të gjen rrugëdalje për borxhet që kanë pjesa dërmuese e komunave në vend.

Ndërmarrja komunale e Dibrës e cila është themeluar nga komuna Dibër, dukshëm ka rritur grumbullimin e mjeteve nga faturat për harxhimin e ujit dhe grumbullimin e mbeturinave, por njëkohësisht është angazhuar maksimalisht dhe për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme ku mund të përfitojë edhe mjete financiare. Këshilli i komunës Dibër ka dhënë vlerësimin se ndërmarrja komunale dukshëm ka përmirësuar situatën financiare dhe me fonde nga banka botërore i ka dhurua ndërmarrjes komunale pajisje të ndryshme, automjete, etj./Koha.mk/