Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime urgjente hetimore lidhur me një incident të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Obiliq.

Sipas informacioneve të disponueshme, më 25 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar në prani të prindit i dëmtuari, lojtari Belgin Jashari (15).


Ndërsa më 26 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari M.K., i lindur në vitin 1978, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën penale "Sulmi", dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Sulmi ndaj Belgin Jasharit, që i përket komunitetit ashkali, nxiti reagime të shumta në opinion.

Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani e ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkuan ndëshkim maksimal për autorin e dyshuar.

Gjithashtu, shumë njerëz janë solidarizuar me 15-vjeçarin duke e ndihmuar në mënyra të ndryshme. /Telegrafi/