LAJMI I FUNDIT:

Ndalesat absurde të librave në burgjet amerikane

Ndalesat absurde të librave në burgjet amerikane

PEN America, organizata e gjerë pankulturore me qendër në Nju-Jork, pohon se shumë libra u janë refuzuar të burgosurve në mënyrë të padrejtë.

Në një burg në Nju Jork, autoritetet policore u përpoqën të ndalonin një libër ku paraqiteshin hartat e lëvizjes së Hënës në kohë periodike, me argumentin se “paraqiste rrezik për arratisje”. Ndërsa, në burgjet e Floridës të burgosurve u është ndaluar të lexojnë fjalorët e Klingonit të njohur për mësimet që ai jep për t’u bërë shkrimtarë apo aktorë. Po ashtu, çuditërisht, është ndaluar dhe një libër ngjyrosës. Figurat të cilat gjenden brenda janë pulat. Në Teksas, burgjeve u është çuar një listë e tërë librash të ndaluar. Numërohen më shumë se 10 mijë të tillë nga autorë të njohur e jo vetëm amerikanë, si p.sh, Alice Walker, John Updike, George Orwell dhe Joyce Carol Oates.

Në libraritë dhe bibliotekat amerikane në Javën e Librave të Ndaluar, po përkujtohet si çdo vit e drejta për të lexuar. Pikërisht gjatë këtyre ditëve, PEN America ka dalë në një deklaratë publike ku shkruan se ndalimi më i madh i librave në ShBA është në burgjet shtetërore dhe federale, ku aktualisht gjenden më shumë se 2.2 milionë të burgosur. Organizata e fjalës së lirë i bën thirrje Kongresit amerikan për seanca dëgjimore mbi ndalimin e librave nëpër burgje, me një peticion të nënshkruar nga pothuajse 40 mijë njerëz që thonë se Kongresi “duhet të hedhë dritë mbi këtë çështje dhe se ku e pse ajo po shkelet më ashpër”.

Duke përshkruar kufizimet e fundit për librat në burgje si “të errëta dhe arbitrare”, peticioni thotë ndër të tjera se aksesi në letërsi në burgjet amerikane po shkon keq e më keq, duke argumentuar se studimet tregojnë se të burgosurit me qasje në informacione dhe ide që mund të merren vetëm prej leximit, kanë më pak të ngjarë të kryejnë vepra të tjera penale. Arsyet e dhëna nga autoritetet përse në burgje ndalohen libra apo çdo gjë që ka lidhje me to, varion që nga përmbajtja seksuale e tyre e deri tek përshkrimet e dhunës apo arratisja.

Por, organizata e njohur PEN thotë se përderisa këto arsye përfshijnë fusha të shqetësimit të ligjshëm, ato shpesh “interpretohen aq gjerësisht sa që në thelb shpesh herë shërbejnë si justifikime të përshtatshme për ndalime arbitrare … që aplikohen për të kundërshtuar logjikën”.

Në raport shënohet: “Zyrtarët në një burg në Ohio ndaluan një grup të rinjsh që dhuronte libra të dërgonin një libër biologjie një të burgosuri, duke i etiketuar vizatimet anatomike si ‘nudo’… Në një burg të Arizonës është ndaluar libri ‘Dragonologjia’, libri i plotë i dragonjve; Fizika e thjeshtë dhe bazat e skicimit.

Në Tenesi, zyrtarët nuk pranuan të japin leje-hyrje për një libër që kishte lidhje me Holokaustin, duke përmendur faktin se libri përmbante foto të trupave nudo të viktimave. Ndërsa, në një burg federal në Kolorado, zyrtarët ndaluan një të burgosur të tërhiqte dy librat memuaristike të Barack Obamas, duke i quajtur ato “potencialisht të dëmshme për sigurinë kombëtare”. Ky vendim u ndryshua më vonë.

PEN thotë se raporti i saj, nuk është parashikuar të demonizojë zyrtarët e burgut apo të ‘pakësojë shqetësimet e ligjshme të sigurisë’. Por, vëren se kufizimet e librave në burgje “shpesh janë të ekzagjeruara, të pakuptimta ndaj dhe lind nevoja që ato t’i nënshtrohen një shqyrtimi më kuptimplotë sepse mbi të gjitha shkel një prej të drejtave që të burgosurit e kanë – leximin pas hekurave”.

Raporti vëzhdon më tej me konstatimin se “cili është rezultati? Ai që në fund ne fitojmë vërtet një sistem kontrolli të librave që hyjnë në burgje por vazhdojmë të rrisim numrin e njerëzve dështakë në jetë, me idenë se ata nuk janë në gjendje t’i kthehen jetës në një shoqëri që i përmbush idealet demokratike dhe kushtetuese. Ndaj në mënyrë urgjente si një çështje praktike por dhe si një detyrim moral, ndoshta ka ardhur koha për të rivlerësuar gjendjen e së drejtës për të lexuar brenda burgjeve amerikane”. /Shqip/