Vdekja e parakohshme e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu, ka ngjallur reagime të shumta, ku drejtues institucionalë dhe bashkëpunëtorë të saj kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimet për kontributin e saj ndër vite.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, e cilësoi këtë humbje si tronditëse dhe të rëndë për komunën.


“Lajm tronditës, fort i trishtë e pikëllues, humbja e parakohshme e Drejtoreshës Yllka Fejzullahu”, ka deklaruar Aliu.



Ai e përshkroi të ndjerën si një ndër figurat më të angazhuara në jetën publike dhe arsimore të komunës.

“Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime”, tha ai.

Aliu theksoi gjithashtu integritetin dhe përkushtimin e saj ndaj parimeve.

“Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor”, u shpreh ai.

Duke kujtuar angazhimin e saj në jetën politike dhe institucionale, ai shtoi se kontributi i saj do të mbetet i paharruar.

“Vajza e hekurt, aktivistja shembullore, drejtoreshja e spikatur e arsimit në komunën tonë, do të mbahet mend gjatë mes nesh për vlerat që përçoi ndër vite”, deklaroi Aliu, duke përfunduar me fjalët: “Yllka, do na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë”.

Ndërkohë, edhe kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar përmes një mesazhi ngushëllimi, duke e cilësuar lajmin si thellësisht pikëllues.



“Humbja e parakohshme e Yllka Fejzullahut, është lajm thellësisht pikëllues për të gjithë ne”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo e vlerësoi të ndjerën për angazhimin dhe gjurmët e lëna në jetën publike.

“Yllka, bashkaktiviste e ditëve të para të Lëvizjes, kryetare e GVV-së, mike e afërt dhe asambleiste, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në çdo hap të saj”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se Fejzullahu do të kujtohet për cilësitë e saj njerëzore dhe profesionale.

“Yllkën do ta kujtojmë përherë për qetësinë, forcën dhe përkushtimin e saj. Për vlerat që la pas dhe për shembullin që dha”, deklaroi ajo.

Në fund, ajo u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerën.

“Ju shpreh ngushëllime familjes, bashkaktivistëve dhe gjithë atyre që e njohën. Do të na mungosh shumë. U prehsh në paqe”, përfundoi Haxhiu. /Telegrafi/