Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë çmimet vjetore për letërsi.

Këto çmime u ndanë nga ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi, e cila theksoi për të pranishmit se përgjatë mandatit të saj është munduar vazhdimisht t’i qes në pah vlerat kombëtare të popullit tonë.

“Kënaqësi që i kam shërbyer këta muaj vendit tim, duke u munduar t’i qes në pah vlerat tona kombëtare. Puna dhe përkushtimi juaj na ka bërë më të fortë për të kaluar këtë situatë pandemike”, është shprehur tutje Dumoshi.

Juria profesionale e përbërë nga Nysret Krasniqi, Dije Demiri Frangu, Anton Berisha, Xhevat Syla dhe Fazli Gajraku, ndau çmimet si në vijim:

Mehmet Kraja u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Për veprën “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Ag Apolloni u shpërblye me Çmimin për Prozë “Anton Pashku”

Për veprën “Thasë”, Blerina Rogova Gaxha u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Poezi “Ali Podrimja”.

Për veprën “Dekalogu”, Agron Shala u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova”

Nexhat Halimi, me veprën “I vetëm në mal” u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe Të Rinj “Vehbi Kikaj”.

Fatbardha Statovci dhe Teuta Blakçori ndanë Çmimin për Veprën më të Mirë të Përkthyer në Gjuhën Shqipe “Pjetër Bogdani”. Statovci për veprën “Rasti i çuditshëm i Benjamin Butonit” dhe Blakçori për veprën “Vogëlushja”.