LAJMI I FUNDIT:

Na ishte njëherë Shqipëria: Ta rrëfesh historinë përmes fotografive të Marubëve (Video)

Na ishte njëherë Shqipëria: Ta rrëfesh historinë përmes fotografive të Marubëve (Video)

Shqiptarët janë populli që ndër të parët kanë kultivuar artin e fotografisë. 17 vjet pas shpalljes së zbulimit të fotografisë (1839), në Shkodër më 1856 hapet hap studioja – ndër të parat në rajon dhe më gjerë. Dramaturgu, shkrimtari dhe profesori Stefan Çapaliku, në dokumentarin me tri pjesë “Na ishte njëherë Shqipëria”, pasi studion mijëra e mijëra fotografi zbërthen artin e kësaj studioje dhe historinë e shqiptarëve të asaj kohe.

Pjesa e parë e dokumentarit ndërlidhet me Pietro Marubbin (1834-1903), i cili nga Piaçenca e Italisë shkon në Shkodër me një përvojë si arkitekt, piktor e skulptor. “Qyteti kishte mir’prit’ kráh’háp nji magjistar, qi ndezte flakë do pluhna dhe lângje e mândêj t’népte në dorë nji copë letër të trashë ku ishe pikrisht ti”, shkruanin kronikat e kohës, për “dritëshkronjat” e tij. Meqë puna i ecte mirë, Pietro angazhon si ndihmës djemtë e Rrok Kodhelit, Matin dhe Mikelin. Meqë nuk kishte fëmijë, Pietro ia la studion Mikelit bashkë me 4,000 negativë në xhama të përmasave të ndryshme.


Pjesa e dytë e dokumentarit ka të bëjë me veprimtarinë e Mikel Kodhelit që do të njihet më vonë si Kel Marubi (1870–1940). Më 1885 specializon artin e fotografisë në Trieste, në studion e fotografit të njohur, Guglielmo Sebastianutti. Por, Keli njihet edhe si aktivist i çështjes kombëtare, për çka burgoset disa herë nga autoritetet turke. Ai do të lë pas vetes 34,000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.

Pjesa e tretë e dokumentarit i kushtohet Gegë (Grigor) Marubit (1907–1984), të birit të Kelit, i cili më 1923 po ashtu kishte kryer specializime për fotografi dhe kinematografi te vëllezërit Lumier në Paris. Më 1952 studioja e famshme e Marubëve bëhet pjesë e Kooperativës së Artizanatit. Më 1970 Keli do t’ia dhurojë shtetit arkivin fotografik familjar. Ai la pas vete 51,000 negativë.

Për realizimin e dokumentarit është punuar me vite për t’u studiuar negativët e Marubëve. Ndërsa, paraqet një formë unike të rrëfimit të historisë përmes fotografive pak e hiç të njohura për shqiptarët. /Telegrafi/