Myslimanët janë ankuar te kompania e famshme Nike për shitjen e një marke të atleteve Air Max me një dizajn që i ngjan fjalës arabe për “Allahun”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nga gjiganti “Nike” është kërkuar të tërheq atletet sportive, pasi myslimanët mendojnë se ata kanë “fyer Islamin”.

Zemërimi filloi kur konsumatorja myslimane Saiga Noreen vuri re se ajo që besonte ishte fjala arabe për Allahun në këpucë.

Kështu, ajo menjëherë inicioi një peticion online, duke kërkuar që kompania të heqë atletet e famshme nga tregu në mbarë botën.

Noreen akuzoi Nike-n se kishte një qëndrim jorespektues ndaj Islamit, duke deklaruar në përshkrimin e peticionit: “Është e egër dhe e tmerrshme që Nike të lejojë emrin e Perëndisë në një këpucë. Kjo është mosrespektuese dhe shumë fyese ndaj myslimanëve dhe fyerje ndaj Islamit”.

“Nike ka prodhuar këpucën Nike Air Max 270 me një fjalë që i ngjanë fjalës Allah në arabisht, e cila me siguri do të shkelet, shkelmohet dhe ndotet me baltë apo madje edhe ndyrësi”, shkroi Noreen.

Ajo u bëri thirrje të gjithë myslimanëve dhe të gjithë atyre që ranë dakord me të për të nënshkruar peticionin.

Së paku deri më tani, thuhet se mbi 12 mijë njerëz kanë nënshkruar peticionin dhe qëllimi është që ky numër të arrijë së paku deri në 15 mijë nënshkrime. /Telegrafi/