Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në interpelancën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se vazhdon të jetë problem ndikimi i shtetit të Serbisë mbi deputetët dhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës, e që janë pjesë e Listës Serbe.

Ai ka thënë se problem është paraqitur shtrirja e strukturave paralele edhe në institucione shëndetësore në komunat në veri të vendit.


“Kjo çështje duhet të shtrohet si problem i tendencave të Serbisë që të ushtroj ndikimin e saj në vendin tonë. Sa i përket Qeverisë, ajo do të vazhdoj angazhimin e saj për ta konsoliduar sovranitetin e saj edhe në veriun e vendit. Gjendja në veri ka ndryshuar si pasojë e bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Mustafa.

Kryeministri ka thënë se Kosova ka arritur që ta shtrijë sipas tij, sovranitetin në fushën e sigurisë, doganave, administratës tatimore.

“Kosova ka vendosur të gjitha Agjencitë shtetërore në veri të vendit. Kemi shuar strukturën e ashtuquajtur Mbrojtja Civile. Është miratuar marrëveshja për kodin telefonik. Kemi marrëveshje për Drejtësinë. Kemi hapur zyrat e regjistrimit civil për t’i pajisur me dokumente të Kosovës, banorët e asaj pjese”, ka theksuar Mustafa. /Telegrafi/