LAJMI I FUNDIT:

Mustafa përmend disa nga arsyet e rënies ekonomike të Kosovës: Viti aktual parashihet të jetë sfidues

Mustafa përmend disa nga arsyet e rënies ekonomike të Kosovës: Viti aktual parashihet të jetë sfidues
Foto: Arkiv

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private dhe reduktimi i konsumit për shkak të rritjes së çmimeve janë disa nga arsyet e rënies ekonomike në vend.

Sipas Mustafës, shënoi rritje ekonomike, pasi për shkak të pandemisë COVID-19 kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike.

“Vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5 për qind (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 për qind (sipas Bankës Botërore). Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5 për qind”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Po ashtu, ish-kryeministri thotë se viti aktual parashihet të jetë sfidues për vendin.

“Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm. Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13 për qind (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4 për qind (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2 për qind. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020)”, shton ai.

“Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën. Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7 për qind. Rritje më të ulët (2.4 për qind) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë”, përfundon Mustafa. /Telegrafi/