Mustafa: Katër sektorët kryesorë po tregojnë se ekonomia e Kosovës është në krizë

Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, profesori dhe ekonomisti Muhamet Mustafa nga Instituti RIINVEST ka folur për gjendjen e ekonomisë së Kosovës, sfidat kryesore dhe domosdoshmërinë e reformave urgjente.
Mustafa tha se Kosova po përballet me një vit të vështirë, të shoqëruar me pasiguri politike, zgjedhje të njëpasnjëshme dhe mungesë funksionaliteti institucional, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi.
Sipas tij, vendimmarrja ekonomike në Kosovë nuk po bëhet në bazë të evidencës.
Profesori vuri theksin tek problemi më i madh strukturor në vendimmarrjen qeveritare, mungesën e analizave profesionale para marrjes së vendimeve.
- YouTube youtu.be
“Ajo që i mungon politikës sonë dhe qeverisjes ekonomike është mungesa e vendimmarrjes në bazë të evidencës. Te ne masat merren dhe pastaj shikohet çka po ndodh – kjo është e pafalshme”, ka deklaruar Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai përmendi shembullin e liberalizimit të tregut të energjisë, ku sipas tij as ZRRE-ja, as Qeveria nuk kanë pasur një analizë të qartë të ndikimit financiar.
Katër sektorët që tregojnë gjendjen e ekonomisë
Mustafa i ndau sfidat ekonomike në katër sektorë kryesorë, duke theksuar se secili prej tyre po përballet me probleme serioze.
Sektori real sipas tij, prodhimi vendor dhe bizneset nuk janë në gjendje të mirë.
“Situata në sektorin real, aty ku prodhohet vlera, nuk është në rregull. As konsumatorët nuk kanë pritje optimiste, as bizneset”, ka deklaruar Mustafa.
Ai e cilësoi rritjen ekonomike aktuale “rritje me inercion” dhe jo rezultat i politikave zhvillimore.
Në sektorin e jashtëm Mustafa paralajmëroi se deficiti tregtar po thellohet vazhdimisht dhe investimet e huaja janë të fokusuara në patundshmëri, jo në ekonomi prodhuese.
“Deficiti tregtar po thellohet dhe mbulueshmëria e importit me eksport po zvogëlohet”.
Profesori sqaroi se sistemi financiar (bankat dhe kreditimi) janë nën presion dhe kreditimi është ngadalësuar ndjeshëm.
“Ka stres të dukshëm në likuiditet dhe dhënia e kredive është shtrënguar”, ka thënë ai.

Bizneset, sipas tij, po detyrohen të përdorin më shumë overdraft, një tjetër indikator i stresit financiar.
Si pikë të katërt ai përmendi buxhetin e Kosovës. Mustafa kritikoi orientimin e buxhetit të shtetit, duke thënë se ai është deformuar në dëm të investimeve kapitale dhe sektorëve kyç.
“Struktura e buxhetit është ndryshuar në dëm të investimeve kapitale, arsimit dhe shëndetësisë. Paratë janë aty, por investimet nuk realizohen. Kjo është keqqeverisje. Modeli i rritjes ekonomike është i gabuar – duhet rindërtuar”, ka thënë ai.
Mustafa tha se rritja e Kosovës mbështetet në konsum dhe importe, një model që sipas tij e dëmton ekonominë në afatgjatë.
“Ky model i rritjes, i bazuar në konsum dhe importe, e ka kursy zhvillimin ekonomik të vendit.”
Ai kërkoi që pas zgjedhjeve të vitit 2026, qeveria e re të ndërtojë një model të ri ekonomik të bazuar në prodhim, inovacion dhe investim në faktor njeri.
Mustafa dha rekomandime se ku ku duhet të fokusohet Kosova në ekonomi në vitin 2026
“Rindërtimi i modelit ekonomik nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Investime të mëdha në arsim, kërkime shkencore dhe inovacion. Qeverisje e bazuar në evidencë dhe jo në improvizim. Rritje e prodhimit vendor dhe eksportit. Stabilitet politik dhe formim i shpejtë i qeverisë”, ka shtuar Mustafa transmeton Telegrafi.

Mustafa tha se Kosova duhet të hyjë në vitin 2026 me një qasje të re.
“Vëmendja duhet të rikthehet në ekonomi, zhvillim, edukim dhe inovacion – jo në bllokada politike.”
Ai paralajmëroi se vonesat në formimin e qeverisë rrezikojnë humbjen e qindra milionë eurove nga fondet evropiane. /Telegrafi/

















































