Mustafa: Aktvendimi i Kushtetueses është i prerë, LVV synoi kapjen e institucioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot një konferencë për media pak orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth veprimeve që duhet ndërmarrë për dalje nga ngërçi politik si pasojë e mos zgjedhjes së kryetarit të ri të legjislaturës së nëntë.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa e ka cilësuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të qartë të prerë dhe se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur kushtetutën.
Ai tha se ky nuk është gabim procedural nga Lëvizja Vetëvendosje, por një përpjekje e qëllimshme për të kapur institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Kosovës, përmes veprimeve të paligjshme, raporton KosovaPress.
Mustafa tha se LDK-ja mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ripohoi qëndrimin e tyre të si garantues i rendit kushtetues.
“Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është i qartë e i prerë. Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të ndërmarrë veprime që sot janë shpallur të pavlefshme dhe antikushtetuese nga autoriteti më i lartë kushtetues i vendit.. Ky nuk është gabim procedural i një deputeti të VV-së, kjo është një përpjekje e qëllimshme për të kapur institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës , Kuvendin e Kosovës, përmes veprimeve të paligjshme dhe me kundërshtim me Kushtetutën.. Përballë këtij precedenti të qëllimshëm, LDK-ja, mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ripohojmë qëndrimin tonë të palëkundur si forca politike që gjithmonë ka qenë dhe është mbetur garantuese e rendit kushtetues dhe funksionimi normal të institucioneve demokratike”, tha Mustafa.
Deputeti Besian Mustafa, shtoi se VV-ja duhet t’i jep fund qasjes antikushtetuese dhe ta fitojë pushtetin duke i respektuar rregullat, e jo shkelur ato. Gjithashtu, ai përmendi se deputetët e LVV-së sot kanë sulmuar Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj, dhe e cilëson si një gjë të papranueshme në një republikë demokratike me rend kushtetues të mirëfilltë.
“VV duhet t’i jep fund arrogancës politike dhe qasjes antikushtetuese. Pushteti nuk fitohet duke shkelur rregullat, por duke i respektuar ato.. As nuk kemi heshtur asnjëherë dhe as nuk do të heshtim asnjëherë. LVV-ja dhe deputetët e saj, figurat e saj prej më të rëndësishmeve, sot kanë sulmuar Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtarët e kësaj gjykate, kjo është e papranueshme në një republikë demokratike dhe një rend kushtetues të mirëfilltë”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese tha sot se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë e njëjtë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë.
Kushtetuesja tha se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh dhe të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në vendimin e publikuar sot, Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Po ashtu gjykata tha se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Kushtetueses në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me aktin më të lartë juridik të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, deri më tash ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por kjo e fundit ka dështuar gjashtë herë në votim të hapur që t’i marrë 61 votat e nevojshme.
Më pas, LVV, Guxo e Alternativa insistuan qe kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë por kjo u kundërshtua nga PDK, LDK, AKK e NISMA.
Kushtetuesja më 24 korrik vendosi masë të përkohshme sipas së cilës deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim e as të ndërmarrin ndonjë veprim rreth konstituimit të legjislaturës së nëntë deri më datë 8 gusht 2025.
Kjo u bë pasi që ky institucion mori në shqyrtim kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi formimin e legjislaturës së nëntë.
Kushtetuesja kishte lëshuar edhe më herët një aktgjykim lidhur me çështjen e Kuvendit duke thënë se institucioni ligjvënës duhej të konstituohej brenda 30 ditësh. Deputetët nuk e përfillën këtë vendim për të cilin vetë Kushtetuesja nuk tregoi se cilat janë pasojat e moszbatimit.
Kosova është në krizë të thellë politike si pasojë e mos formimit të institucioneve të reja. Deputetët e zgjedhur janë mbledhur 54 herë nga 15 prilli deri fund të korrikut, por nuk kanë arritur të formojnë trupat e legjislativit pas procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit.







































