Një nga betejat më të mëdha ligjore në botën e teknologjisë ka nisur mes Elon Muskut dhe kompanisë OpenAI, me një padi që kap vlerën e rreth 134 miliardë dollarëve dhe që pritet të zgjasë disa javë në Kaliforni.

Çështja gjyqësore ka në qendër akuzat e Muskut se OpenAI ka devijuar nga misioni i saj fillestar jofitimprurës për të zhvilluar inteligjencë artificiale në të mirë të njerëzimit, duke u shndërruar në një kompani me qëllime fitimi dhe duke forcuar bashkëpunimin me Microsoftin.


Në proces pritet të dëshmojnë figura të rëndësishme të Silicon Valley, përfshirë edhe CEO-n e Microsoft-it Satya Nadella, si dhe drejtues të tjerë të OpenAI dhe ish-bashkëpunëtorë të saj.

Musk kërkon kompensim financiar të madh dhe ndryshime në strukturën e kompanisë, përfshirë largimin e drejtuesve aktualë, ndërsa OpenAI i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur të pabazuara dhe të motivuara nga rivaliteti në industrinë e inteligjencës artificiale.

Çështja po konsiderohet si një përballje vendimtare për të ardhmen e qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe për mënyrën se si kompanitë teknologjike menaxhojnë misionet e tyre fillestare në një treg gjithnjë e më konkurrues. /Telegrafi/