LAJMI I FUNDIT:

Murati kërkon hetime për të hyrat e SBASHK-ut

Murati kërkon hetime për të hyrat e SBASHK-ut

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka ngritur dyshime për të hyrat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe ka kërkuar hetime nga ana e institucioneve përkatëse.

“Do doja të flas edhe për pasqyrat financiare të SBASHK-ut. Kam përmendur shumën e mjeteve që janë derdhur në llogari të tyre në emër të kontributeve nga anëtarësia, nga 25 mijë persona që paguajnë kontribut 2-3 euro në muaj. Prisja që të këtë sqarim se çfarë është bërë me ato mjete”, shtoi Murati.


“Kemi pranuar pjesërisht raporte të auditimit të sindikatave dhe ka shpërputhje mes asaj që ka mbledhur Thesari në emër të anëtarësisë dhe shifrës që SBASHK paraqet si të hyra nga anëtarësia” , theksoi ai.

“Sipas raportit të auditimit të vitit 2017 të prezantuar nga SBASHK-u, të hyra nga anëtarësia të cilat janë derdhur në llogarinë e SBASHK-ut janë 550 mijë e 317 euro e 60 centë. SBASHK-u në pasqyrat e veta financiare, të hyra nga anëtarësia ka deklaruar 220 mijë e 136 euro e 54 centë.  Pra, bëhet fjalë për një diskrepancë prej 330 mijë euro”, është shprehur Murati, raporton Kallxo.com.

Tutje, ministri theksoi se diskrepancë të madhe me mijëra euro në SBASHK ka pasur edhe në vitet 2018 dhe 2019 dhe ftoi organet e rendit që të fillojnë hetimet për këto dyshime.

Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave
Lexo po ashtu Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave

Këto dyshime ministri i ngriti në një konferencë për media gjatë të cilës ai tregoi se nuk janë ekzekutuar në tërësi pagat e punonjësve të sektorit publik dhe se kjo kryesisht ndërlidhej me grevën që kanë nisur disa institucione që nga data 25 gusht.

Ministri Murati ka paralajmëruar se çdo person që vazhdon grevën do trajtohet sipas Ligjit për greva.

Sipas tij, punëdhënësi në raste të tilla e pezullon obligimin e pagesës ndaj punëtorit.

“Çdo person që ka qenë në grevë dhe vazhdon të jetë do trajtohet sipas nenit 18 paragrafi 1 të Ligjit për greva, i cili parasheh që pezullohet obligimi i dyanshëm. Pra, në njërën anë punëtori nuk ka obligim që ta respektojë kontratën e punës dhe punëdhënësi pezullon obligimin e pagesës. Për të gjithë ata që vazhdojnë grevën do trajtohen kështu”, ka thënë Murati.