LAJMI I FUNDIT:

A mundet TikTok-u ta bind botën se nuk është vegël e Kinës?

A mundet TikTok-u ta bind botën se nuk është vegël e Kinës?
Ilustrim (kolazh i përgatitur nga FT)

Nga: Cristina Criddle (Londër), Hannah Murphy (San Francisco) dhe Demetri Sevastopulo (Uashington) / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në pamje të parë, TikTok-u nuk përbën kërcënim të mundshëm për sigurinë kombëtare.


Me videot tërheqëse prej disa sekondave, me vallëzimet virale dhe me zërat qesharakë të sinkronizuar, është një nga aplikacionet më të përdorura në Perëndim dhe i ngulitur në kulturën e një brezi të të rinjve. Sot pretendon më shumë se një miliard përdorues në mbarë botën dhe vlerësohet se gjeneron të ardhura prej më shumë se 10 miliardë dollarëve.

Megjithatë, aplikacioni dhe pronësia kineze, ByteDance, përsëri janë në qendër të një stuhie të grumbulluar gjeopolitike, ndërsa qeveritë në Amerikën e Veriut dhe në Evropë nisën kufizimet e reja dhe po e mendojnë ndalimin e plotë të përdorimit të tij, kjo për shkak të frikës se mund të përdoret për t’i mbledhur të dhënat në emër të shteti kinez.

Në ShBA, shqetësimet për sigurinë kombëtare nisën të vlojnë kur më 2017 ByteDance pagoi një miliard dollarë për aplikacionin popullor Musical.ly, duke e bashkuar atë me platformën e vet TikTok për t’i plotësuar nevojat e bazës rinore të përdoruesve amerikanë.

Komiteti i ShBA-së për Investimet e Huaja, ose Cfius, në vitin 2019 e hapi hetimin për blerjen – vetëm disa muaj pasi Administrata Trump e kishte vendosur grupin kinez të telekomunikacionit, Huawei, në “listën e entiteteve” – duke e kufizuar në mënyrë dramatike aftësinë e tij për të bërë biznes në ShBA, dhe duke thënë se rrjetet e saj 5G për celularët paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Derisa në verën e vitit 2020 rritej popullariteti i aplikacionit, presidenti Donald Trump atëherë u zotua që ta ndalojë duke u bazuar në shqetësimet se Qeveria kineze mund ta përdor platformën për të “ndërtuar dosje të informacionit personal për shantazh dhe për përçim të spiunazhit të korporatave”.

Drejtuesit e ByteDance patën një pushim të shkurtër në qershor 2021, kur presidenti Joe Biden anuloi një sërë urdhrash ekzekutivë të Trumpit që ndalonin një sërë aplikacionesh kineze, përfshirë TikTok-un.

Megjithatë, sot, në sfondin e rrënimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe ShBA-së, aplikacioni është përsëri në qendër të vëmendjes së ligjvënësve në Uashington dhe më gjerë. Këtë javë, Shtëpia e Bardhë ua dha agjencive federale një afat 30-ditor që TikTok-u të hiqet nga pajisjet qeveritare. Më shumë se gjysma e shteteve amerikane i kanë urdhëruar zyrtarët e vet që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Dega ekzekutive e BE-së dhe Parlamenti Evropian, në fillim të shkurtit e ndaloi aplikacionin për stafin, ndërsa Kanadaja ndoqi shembullin këtë javë. TikTok-u i quajti këto kufizime si “të gabuara”.

Të mërkurën, komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve – i udhëhequr nga republikanët – e hartoi projektligjin i cili, nëse miratohet nga të dy dhomat e Kongresit, do t’ia jepte Bidenit autoritetin për ta ndaluar plotësisht TikTok-un në ShBA. Projektligji u kundërshtua nga demokratët në panel dhe mbetet e paqartë nëse do të arrijë ndonjëherë në tavolinën e presidentit.

Por, i qartë është mesazhi i kundërshtarëve të kinezëve në Kongres: ashtu si Huawei më parë, TikTok-u paraqet kërcënim dhe duhet ndaluar. “Çdokush me TikTok të shkarkuar në pajisje ia ka dhënë [Partisë Komuniste të Kinës] një derë të pasme për të gjithë informacionin personal”, thotë Michael McCaul, kryetar republikan i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. “Është balona spiune në telefonin e tyre”.

TikTok-u po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje me administratën e Bidenit, ku rrjeti social thotë se do të ruajë të dhënat private të amerikanëve, por këto shqetësime janë gati të arrijnë kulmin kur shefi ekzekutiv i kompanisë, Shou Zi Chew, do të përballet me Kongresin në fund të këtij muaji.

Njerëzit që janë të njohur me operacionet e TikTok-ut, i thanë Financial Times-it [FT] se e ardhmja e kompanisë varet nga mënyra se si Shou performon – më 23 mars – para Komitetit të Dhomës për Energji dhe Tregti.

Ekipi ethshëm po e përgatit atë për paraqitjen ku pritet të futet në hell jo vetëm për qasjen – te të dhënat e përdoruesve – nga Partia Komuniste Kineze, diçka që komiteti ka thënë se TikTok-u e ka “lejuar me vetëdije”, por edhe për ndikimin e aplikacionit ndaj fëmijëve dhe nëse kompania mund t’i mbajë fëmijët të sigurt nga dëmtimet në internet dhe jashtë linjës.

“Sigurisht se ekziston një element brenda administratës së Bidenit që është i mendimit se asgjë nuk do të mjaftojë, përveç shitjes apo ndalimit të plotë, pavarësisht nga mbrojtjet që i vendosim”, ka thënë një zyrtar i lartë i TikTok-ut që ka njohuri për negociatat.

TikTok-u këmbëngul se është ndarë nga pronari kinez, por ByteDance në mënyrë të pamohueshme ka kontroll të ngushtë në kompani.

Punonjësit kanë email të ByteDance-it, përdorin softuer në pronësi të ByteDance-it dhe duhet të ndjekin stilin e kompanisë [ByteStyle] – kodin e tij të brendshëm të sjelljes. Qindra inxhinierë kinezë, zhvillues produktesh dhe anëtarë të stafit operativ në Shangai dhe në Pekin, përkujdesen për funksionimin e aplikacionit.

ByteDance ka lidhje të qarta me shtetin. Qeveria kineze ka një “pjesë të artë” në entitetin kryesor kinez të ByteDance-it, me një për qind të aksioneve të marra nga mjetet e investimeve të drejtuara nga qeveria që ia japin shtetit kontrollin mbi përmbajtjen në Douyin – versionin kinez të TikTok-ut.

Gjithashtu, ua dha atyre ndikimin përmes emërimit të zyrtarit të Partisë Komuniste, Wu Shugang, si një nga tre drejtorët e njësisë. Wu më parë ka thënë se do t’ua “priste kokën e qenit” njerëzve liberalë kinezë me vlera perëndimore.

Sipas ligjeve lokale, kompanitë kineze mund të detyrohen t’ia zbulojnë shtetit të dhënat, si dhe ta kufizojnë përtej kufijve bartjen e të dhënave të ndjeshme.

Për disa në Administratën Biden, çështja kundër kompanisë është e diskutueshme. “Nuk e përdor TikTok-un dhe, për shkak të këtyre shqetësimeve, nuk do ta këshilloja askënd ta bënte këtë”, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme e ShBA-së, Lisa Monaco, gjatë shkurtit në [institutin] Chatham House.

“Kina ka qenë mjaft e qartë se ata po përpiqen ta modelojnë dhe ta hedhin para përdorimin e normave të teknologjisë që avancojnë privilegjin, [dhe] interesat e tyre … të cilat ushqehen dhe drejtohen nga qasja autoritare e qeverisë së tyre”.

TikTok-u thotë se qeverisë kineze asnjëherë nuk ia ka ofruar të dhënat dhe se as që do t’ia japë. Por, më 22 dhjetor, kompania pranoi se gjatë verës së vitit 2022, stafi në Kinë dhe në ShBA iu ka qasur në mënyrë të papërshtatshme të dhënave të përdoruesve. Të paktën dy reporterë, përfshirë një gazetar të FT-së, ishin pjesë e këtij hetimi ku të dhënat personale, përfshirë informacionin e vendndodhjes, u përdorën për të identifikuar rrjedhjet e brendshme nga stafi.

Gjurmimi u zhvillua vetëm disa muaj para se kompania të deklaronte – në tetor – se nuk do ta “shënjestronte” asnjë anëtar të qeverisë amerikane, aktivist, figurë publike apo gazetar.

TikTok më vonë tha se individët e përfshirë janë larguar nga kompania.

Plani i madh i TikTok-ut për t’i zbutur shqetësimet e ligjvënësve – dhe për ta garantuar të ardhmen e vet – varet nga përpjekjet për t’ia vënë Kinës një mburojë fizike për të dhënat e përdoruesve.

Në Evropë, ashtu si në ShBA dhe në Singapor, planifikon t’i hapë tri qendra të dhënash për të ruajtur të dhënat e më shumë se 150 milionë llogarive lokale evropiane. Dy prej tyre do të jenë në Dublin, ku ka investuar më shumë se 600 milionë euro në lokacion, dhe e treta ende nuk është finalizuar.

Në ShBA, TikTok-u ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë në Project Texas, një plan ky i ristrukturimit të korporatës për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve përmes një partneriteti me grupin amerikan të softuerit, Oracle.

Në muajt e ardhshëm, të gjitha të dhënat e përdoruesve do të dërgohen në Oracle Cloud dhe të dhënat e reja të përdoruesve do të ruhen ekskluzivisht në serverin e tij. Oracle ka filluar rishikimin e kodit burimor të TikTok-ut, të arkitekturës teknologjike që mbështet aplikacionin, për të vlerësuar rrezikun e tij për sigurinë. Sipas propozimeve aktuale, palët e treta, përfshirë Cfius-in dhe qeverinë amerikane, do të kenë autoritet miratimi mbi pjesët e biznesit të TikTok-ut.

TikTok US Data Security Inc po krijohet si degë e re e TikTok-ut, e qeverisur nga një bord i pavarur drejtorësh i cili do t’i mbikëqyrë ekipet e stafit në inxhinieri, në operacionet e produktit, në mirëbesimin dhe sigurinë, ligjin, sigurinë dhe privatësinë.

Kompania vlerëson se propozimet do të kushtojnë deri në një miliard dollarë në vit, përfshirë pagesën e stafit, auditorët e palëve të treta dhe inspektorët e kodit burimor. U tha se “masat shkojnë përtej asaj që çdo kompani homologe bën sot”.

Megjithatë – sipas dy punonjësve të lartë të TikTok-ut – ShBA-ja tashmë po e mban pezull marrëveshjen, pas viteve të negociatave.

“Të gjithë profesionistët teknikë në komitetin Cfius e kanë nënshkruar marrëveshjen TikTok-Oracle, por është një pengesë në nivelin politik … dhe kështu, si rezultat, marrëveshja është në bllokadë”, shton njëri nga ta.

Mbledhja e të dhënave nuk është shqetësimi i vetëm për ligjvënësit. Në Douyin – versionin kinez të aplikacionit që zotërohet gjithashtu nga ByteDance – fëmijët nën 14 vjeç kryesisht shikojnë përmbajtje edukative dhe jo argëtuese.

“Algoritmet që përcaktojnë atë që shihni në TikTok [po] vendosen ndryshe jashtë Pekinit, nga Kina”, tha gjatë shkurtit Mark Warner, kryetar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.

“Nëse shikoni se çfarë shohin fëmijët kinezë në versionin e tyre të TikTok-ut – që thekson shkencën dhe inxhinierinë – kundrejt asaj që po shohin fëmijët tanë dhe fëmijët në mbarë botën, gjërat janë krejt ndryshe. Pra, si nga mbledhja e të dhënave, ashtu edhe si mjet propagande, paraqet shqetësim të madh”.

Deri tash, shqetësimet gjeopolitike nuk duket se e kanë penguar rritjen astronomike të TikTok-ut në Perëndim, me ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën si tregjet më të mëdha.

Shumica e të ardhurave të TikTok-ut rrjedhin nga reklamat, me një numër në rritje të tregtarëve që lëvizin nga platformat tradicionale, si Facebook-u dhe Instagram-i.

Katër reklamues me të cilët foli FT, thanë se tensionet aktuale nuk kishin ndikim te shpenzimet në platformë.

“Shqetësimet e sigurisë në lidhje me TikTok-un nuk janë asgjë e re. Nëse përdoruesit do t’i kuptonin vërtetë të dhënat që aplikacioni mbledh nga ta, atëherë askush nuk do t’i përdorte ato, por injoranca është lumturi”, thotë Ben Foster, partner menaxhues i aspektit digjital në agjencinë e mediave The Kite Factory.

Për reklamuesit, ka të bëjë me të qenit aty ku janë sytë, dhe përdoruesi mesatar amerikan shpenzon rreth 90 minuta në ditë në TikTok i nxitur nga algoritmi i tij i fuqishëm i rekomandimeve.

“Është e vështirë të avokosh për largimin nga TikTok-u, kur era mbizotëruese po i shtyn përdoruesit drejt kësaj platforme”, thotë David Balko nga agjencia e reklamave Tribal Worldwide. “Të them të vërtetën, kudo ku është audienca, brendet do të grumbullohen”.

Popullariteti i jashtëzakonshëm i aplikacionit tek të rinjtë mund të shërbejë si një lloj mburoje nga ligjvënësit që dëshirojnë ta ndalojnë plotësisht atë. Në një intervistë për Bloomberg, Gina Raimondo – sekretarja e Tregtisë që mbikëqyr politikat për ta bërë më të vështirë për Kinën fitimin e teknologjisë së ndjeshme amerikane në lidhje me AI-në [inteligjencën artificiale] – sugjeroi se ndalimi i plotë do të ishte vetëvrasje politike: “Politikani brenda meje fjalë për fjalë mendon se përgjithmonë do ta humbasë çdo votues nën moshën 35-vjeçare”.

Me projektligjin që ia jep Bidenit të drejtën për ta bërë këtë, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë të etshëm që të jenë të sigurt se opsioni më drastik do të mbetet në tavolinë. Ata shpresojnë se Shou do t’ua japë municionin e ri gjatë paraqitjes së tij në kongres – më vonë gjatë këtij muaji.

Një punonjës i lartë në TikTok beson se e ardhmja e kompanisë varet në peshore. Qeveria dëshiron të duket “e hapur për biznesin, kur bëhet fjalë për investimet e huaja”, thotë punonjësi, por “ka të tjerë që mendojnë se duan të kenë qëndrim më të ashpër … Çështja thjeshtë është se cila pikëpamje do të mbizotërojë”. /Telegrafi/