LAJMI I FUNDIT:

MUND TË SHKRUAJ VARGJET

MUND TË SHKRUAJ VARGJET

Poezi nga: Pablo Neruda
Përktheu: Zija Vukaj

Vargjet më të trishta mund të shkruaj sonte.

Të shkruaj, për shembull: “Nata është e yjëzuar,
dhe fërgëllojnë, të kaltër, yjet, në largësi.”

Era e natës sillet qiellit e këndon.

Vargjet më të trishta mund të shkruaj sonte.
Unë e desha e nganjëherë edhe ajo më deshi.

Netëve si kjo e mbajta mes krahëve.
E putha shumë herë nën qiellin e pafund.

Ajo më deshi, nganjëherë e doja dhe unë.
Si të mos i doja sytë e saj të mëdhenj, të ngulët.

Vargjet më të trishta mund të shkruaj sonte.
Të mendoj që s’e kam. Të më dhembë që e humba.

Të dëgjoj natën e pafund, më të pafund pa të.
E mbi shpirt bie vargu si vesa mbi bar.

Ç’rëndësi ka që dashuria ime s’mundi ta mbajë

Plot yje është nata e ajo s’është me mua.

Kjo është e gjitha. Atje larg dikush këndon. Atje larg.
Shpirti im është i palumtur që e kam humbur.

Si për t’iu afruar shikimi im e kërkon.
Zemra ime e kërkon, por ajo s’është me mua.

E njëjta natë që zbardhi të njëjtit drurë.
Ne, të at’hershmit, të njëjtit më nuk jemi.

Më nuk e dua, natyrisht, por sa e desha.
Erën kërkonte zëri im, për të çikur të sajin dëgjim.

Një tjetër. Do jetë tjetër. Si puthjet e mia më parë.
Zëri i saj, trupi i saj plot dritë. Të thellët sy të saj.

Më nuk e dua, natyrisht, por ndoshta e dua.
Është kaq e shkurtër dashuria, e kaq i gjatë harrimi.

Sepse netëve si kjo mes krahëve e mbajta,
shpirti im nuk pranonte ta kisha humbur.

Edhe pse kjo ishte e fundit dhimbje që më solli,
e këto qenë të fundit vargje që asaj i shkrova.