Jose Mourinho ka befasuar gazetarët teksa zbuloi klubin që, më shumë se çdo tjetër, i dha ‘kënaqësi të veçantë’ gjatë karrierës së tij si trajner. 

Duke folur për rrjetin portugez Canal 11, Mourinho diskutoi mbi rrugëtimin e tij si trajner, evolucionin e futbollit, si dhe momentet më të paharrueshme në karrierë. 


62-vjeçari ka pasur një karrierë të lavdishme, duke fituar trofe të shumta me Chelsean, Real Madridin dhe Interin, mes të tjerash. Ai ka drejtuar gjithashtu Porton, Manchester United, Tottenhamin dhe Romën, ndërsa aktualisht është trajner i Fenerbahces në sezonin e tij të dytë në Turqi. 

Megjithëse ka udhëhequr klube të shumta prestigjioze që nga fillimi i karrierës me Benfican në vitin 2000, Mourinho konfirmoi se klubi që i ka dhënë më shumë kënaqësi personale është Roma. 

“Mendoj që qëndrimi im te Porto është histori. Chelsea im ishte ekipi më i madh në historinë e Ligës Premier, nga viti 2004 deri më 2006. Arsenali ishte i pathyeshëm, por vetëm për një sezon”. 

“Në ato dy sezone, ne ishim më të pathyeshëm se ata. Ishte një ekip fantastik. Nuk fituam Ligën e Kampionëve vetëm sepse nuk ekzistonte teknologjia e vijës së golit”. 

“Interi im gjithashtu fitoi gjithçka.Por, për shembull, Roma, për mua, ishte një kënaqësi e madhe. Nuk dua të them se bëra omëleta pa vezë, sepse kjo do të ishte mungesë respekti për djemtë e mi”. 

“Por ta fitosh Ligën e Konferencës dhe të arrish dy finale evropiane radhazi, me të gjitha problemet tona, me kufizimet financiare, pa mundësi për të blerë lojtarë. Roma është një nga punët më të bukura të karrierës sime”, ka thënë tekniku portugez./Telegrafi/

telegrafi sport app