Motra kërkon drejtësi për vëllain e vrarë nga snajperistët, hetimi për “Sarajevo Safari” pa akuza pas 30 vitesh


Gjatë rrethimit të Sarajevës në luftën e Bosnjës (1992-1995), kalimi i një rruge mund të ishte çështje jete a vdekjeje.
Mijëra civilë u vranë nga granatimet dhe snajperistët që terrorizonin qytetin e rrethuar.
Sot, tri dekada më vonë, familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për krimet e asaj periudhe.
Njëra prej tyre është motra e një të riu të vrarë nga snajperistët gjatë rrethimit, e cila kërkon që autorët dhe bashkëpunëtorët e tyre të dalin para drejtësisë.
Shpresa e saj u ringjall pas publikimit të një sërë hetimesh që flasin për një fenomen të tmerrshëm të njohur si “Sarajevo Safari”.
Sipas dëshmive të mbledhura nga gazetari italian Ezio Gavazzeni dhe të dokumentuara edhe në filmin dokumentar “Sarajevo Safari”, të huaj të pasur nga vende të ndryshme evropiane dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për t’u vendosur në pozicionet e snajperistëve serbë rreth Sarajevës dhe për të qëlluar mbi civilë boshnjakë.
Sipas këtyre pretendimeve, viktimat përfshinin burra, gra dhe fëmijë. Hetimet sugjerojnë se në disa raste pagesat rriteshin për objektiva veçanërisht të pambrojtur.
Sipas hulumtimit, 30 vjet pas rrethimit katërvjeçar të Sarajevës, Prokuroria e Milanos po shqyrton akuzat se snajperistë të pasur nga Evropa Perëndimore udhëtonin drejt kodrave mbi qytet për të vrarë civilë, ku gratë shtatzëna dhe fëmijët konsideroheshin “viktima me çmimin më të lartë”.
Gjyqtari Guido Salvini pohon se sistemi ishte i sofistikuar.
“Nga Italia kishin origjinën dhjetëra, nëse jo qindra autorë, të cilët udhëtonin në grupe nga Beogradi drejt Sarajevës me helikopterë dhe automjete terreni.”
Hulumtimet flasin për rreth 230 italianë, francezë, belgë dhe zviceranë, që paguanin deri në 200 mijë marka për një “fundjavë vrasjesh”.
Një nga dosjet më tronditëse të arkivit të Sarajevës mban shënimin “Irina Qishiq 1992–1993”.
Irina u vra vetëm katër ditë pas ditëlindjes së parë, duke u bërë një nga 1,600 fëmijët viktima të rrethimit.
Ish-luftëtari i Armatës së Bosnjës, Naser Husiq, kujton: “Dërgoni gratë dhe fëmijët në vend të sigurt.” Ky ishte paralajmërimi për mbërritjen e “snajperistëve të fundjavës”.
Gazetari kroat Domagoj Margetiq, në vazhdimësi ka publikuar dokumente dhe hulumtime për të cilat thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shërbyer si vullnetar nën komandën e çetnikut Sllavko Aleksiq, duke shoqëruar mysafirët e huaj.
Edhe Vojisllav Shesheli ka konfirmuar përfshirjen e tij në njësinë e Aleksiqit.
Dokumentet e gushtit 1992 sugjerojnë se Vuçiq ka marrë një pushkë Zastava dhe 20 mijë marka gjermane nga një mysafir italian, Roberto R.
Tre ish-komandantë çetnikë, që ishin dëshmitarë kyç, vdiqën në mënyrë misterioze në fund të vitit 2025.
Aleksandar Liçanin, ish-ushtarak serb i Bosnjës, kishte deklaruar se i shihte ‘turistët e safarit’ qëllonin mbi pleq e fëmijë dhe pastaj festonin deri në mëngjes.
Logjistikën e “Safarit të Sarajevës” raportohet se e ka drejtuar Dragosllav Bokan, aktualisht kryetar i këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Serbisë.
Deputeti boshnjak Zllatko Miletiq ka deklaruar se është 100% i bindur se këto safari u organizuan nga shërbimet serbe të sigurimit:
“Sikur dëshmitarët të mos kishin vdekur ‘në mënyrë interesante’ vitin e kaluar, sot do të dinim çdo detaj.”
Ndërkohë, edhe Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës ka konfirmuar se prej vitit 2022 është hapur një dosje hetimore për rastin “Safari”.
Hetimi tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare. Përveç Italisë dhe Bosnjës, autoritetet austriake kanë nisur gjithashtu hetime ndaj personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në të ashtuquajturat “ture snajperistësh” gjatë luftës.
Për familjet e viktimave, çështja nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën.
Motra e të riut të vrarë nga snajperistët thotë se e vetmja gjë që kërkon është e vërteta dhe drejtësia. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga fundi i luftës, plagët e Sarajevës mbeten të hapura dhe shumë familje ende presin përgjigje për humbjet e tyre./The GeoPost/






































