Moskonstituimi i Kuvendit, Çitaku: Situatë e rëndë, Kurti po synon ta legalizojë diktatin

Sekretarja e përgjithshme dhe deputetja e betuar e PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se është një situatë jashtëzakonisht e rëndë.
Ajo u shpreh se për të ajo sallë përfaqëson histori dhe trashëgimi dhe siç tha, ta shoh në këtë gjendje, është e dhimbshme.
“Është një gjendje, një situatë jashtëzakonisht e rëndë për secilin deputet dhe për secilën deputete, e cila e ndjenë një barrë sado të vogël të përgjegjësisë, për votën që ka marrë dhe për pozicionin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka”.
“Për mua ai objekt nuk është një godinë e ndërtuar me beton e me tulla, për mua ajo sallë përfaqëson histori, trashëgimi, është një vend në të cilin e kemi shpallur deklaratën e Pavarësisë, vend në të cilin e kemi miratuar Kushtetutën, vend në të cilin kemi themeluar institucionet, Ushtrisë, kemi ratifikuar marrëveshjet ndërkombtëare”.
“Dhe ta shoh tani të reduktuar kështu në një skenë absurde, ku me një lehtësi të padurueshme, përfaqësuesit e subjektit të parë politik vijnë e hyjnë në sallë dhe kënaqësinë më të madhe e kanë nëse thonë ndonjë shaka me të cilën qeshim të gjithë, është e dhimbshme”, u shpreh Çitaku në Klankosova.
Deputetja e betuar gjithashtu tha se Albin Kurti po synon që të legalizojë diktatin, siç u shpreh ajo, si instrument të ndërtimit të politikave.
“Mirëpo, çfarë po synon Kurti të bëjë është që të legalizojë diktatin, si instrument të ndërtimit të politikave, në demokraci, diktati nuk funksionon, në demokraci funksionon marrëveshja, funksionon kompromisi. Meqë nuk e ka shumicën e nevojshme, Kurti duhet të pranojë opsione të tjera që i ka në tavolinë”.
“Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari Krasniqi në takim Kurtit ia ka bërë të qartë që PDK nuk ka votë për asnjë nga ministrat e Qeverisë Kurti 2, mirëpo Kurti aty ka në dispozicion edhe rreth 40 deputetë tjerë të cilëve u ka besuar që t’i ketë në listë dhe ka mundësi që ta zhbllokojë situatën”, deklaroi Çitaku.
















































