LAJMI I FUNDIT:

(Mos)Kapitullimi i Serbisë me Marrëveshjen e Kumanovës

(Mos)Kapitullimi i Serbisë me Marrëveshjen e Kumanovës

“Nuk kemi kapitulluar”, thonë gjeneralët serb, njëzet vjet nga (mos)Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës, sipas të cilës Ushtria dhe Policia serbe u detyruan me forcë të tërhiqen nga Kosova, si thuhej asokohe, për motive humanitare. Ndërkaq, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ndërhyrja në një shtet sovran, të njohur nga gati të gjitha vendet e botës, paraqiste problem serioz i cili edhe sot e kësaj dite ka mbetur i njëjtë si rezultat i marrëdhënieve të vjetruara në OKB, të cilat nuk e përcjellin realisht raportin e ri të forcave në botë. Pasuesja e ish-Jugosllavisë, Serbia, e cila e riktheu emrin e vjetër vetëm pasi mbet e vetme në Federatë, për shpartallimin e së cilës kishte kontribuar më së shumti, edhe sot e kësaj dite pretendon të ketë qenë viktimë dhe të i jetë marrë padrejtësisht një pjesë e territorit të saj.

Sidoqoftë, pas kaq përpjekjesh për paqe dhe për reforma në vendet e ish-Jugosllavisë, pas futjes së dy ish-republikave të saj në BE dhe pas liberalizimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Kosovës, kemi ardhur në një situatë kur marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të aktualizuara si tërësi për të ikur nga njohja e Kosovës, po kërcënojnë që sërish të sjellin gjendjen e para luftës civile të rikthej gjithçka në pikën fillestare, pra në luftë.

Derisa mbi bazën e parimit të mos ndryshimit të kufijve, ish-republikat u shpallën dhe njohën si vende sovrane, problemi me ish-krahinat doli të jetë shumë më serioz, duke dëshmuar se baraspesha e atëhershme në Federatë e cila u pat siguruar atyre pozitë të dyfishtë, autonomi të dyfishtë në kuadër të Serbisë dhe federatës jugosllave nuk ka qenë vetëm një trill i Titos, si mendohej asokohe, por ishte në fakt raport më i thellë i ndikimeve dhe pretendimeve të jashtme në ish Jugosllavinë, e cila ishte krijesë serbe.

Lufta për Ballkanin, mes Perëndimit të udhëhequr nga SHBA dhe lindjes asokohe të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, nuk u ndërpre asnjëherë, me të vetmin dallim se sot “Lindja” përfshin të gjithë rivalët e SHBA-së dhe BE-së. Problemi kryesor në këtë drejtim erdhi me administratën Trumpin, që ka një pikëpamje tjetër për “miqtë dhe armiqtë”.

Rusia sot, pas 30 vjet konfliktesh e përpjekjesh për paqe në Ballkan, e fitoi luftën ndër serbët, qoftë në Serbi e qoftë në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, madje edhe ndër serbët e Kosovës shihen si e vetmja shpresë. Ajo gjatë këtyre 30 viteve e shtriu një ndikim të fuqishëm në ekonomi dhe institucione, sidomos në ushtri, duke bashkëpunuar njëkohësisht me Perëndimin për të dorëzuar komplet elitën politike e ushtarake në të Serbisë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, por njëkohësisht duke mbajtur peng çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare.

Por, lufta për shqiptarët ishte me më shumë probleme dhe ishte shumë më e sofistikuar, pasi ndikimi rus në Kosovë ishte zero, ndërkohë që në Shqipëri megjithatë ishte minor në krahasim me Perëndimin. Lufta për shqiptarët u zhvillua kryesisht përmes religjionit, por edhe në rrafshin social e politik, në një përpjekje gjigante për konfrontim identitetesh dhe interesash klanesh, lokale, e rajonale. Po ashtu, “Lindja” zuri teren ndër shqiptarët edhe përmes një rritjeje enorme të ndikimit të Turqisë (dhe disa vendeve islamike) në ekonomi dhe në jetën kulturore dhe institucionale të vendit, e cila për shkak të fuqisë së saj ushtarake dhe ekonomike, por edhe për shkak të faktit se ishte anëtare e NATO-s dhe kontribuuese në çlirimin e Kosovës, u pa me një sy më pak kritik.

Kjo pas 20 vjetëve ka sjell edhe rezultate të dukshme, një lëvizje të mbuluar anti-perëndimore, sidomos në fushën e kulturës, moralit e pse jo edhe politikës, por ende shqiptarët mbeten të kontrolluar politikisht nga Perëndimi që është prezent jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht, pasi Shqipëria është pjesë e NATO-s, në Kosovë është KFOR-i.

Ajo çka nuk ka ndryshuar, as 20 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, është se Republika e Serbisë ende nuk e ka kuptuar, së paku zyrtarisht, se përse është bombarduar nga NATO dhe përse janë detyruar me forcë të largohen forcat ushtarake dhe policore serbe nga Kosova. Më shumë se me (pa)aftësinë serbe të kuptojë, krejt kjo ka të bëjë me interesin dhe përpjekjen e elitës serbe, pro ruse, dhe politikës serbe që të rikthej, edhe përmes shqiptarëve, rolin e saj qendror në Ballkanin perëndimor, duke u bërë sërish nyja neuralgjike e cila përpos që ishte problem, ofrohet edhe si zgjidhje.

Jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja dhe Hercegovina, edhe 20 vite pas, vazhdon të mbetet problem ndërkombëtar, peng i kësaj lufte pozicionesh për Ballkanin Perëndimor, që rrezikon sërish të konfrontojë edhe fuqitë evropiane mes vete, sidomos disa fuqi evropiane me Uashingtonin. Tendenca, që përkundër kundërshtimit serb të gjendet një formulë që edhe Bosnje dhe Hercegovinë të futet në NATO, shpërfaq karakterin dhe interesin e vërtetë të lojës me kufijtë e Kosovës, pra pengimi i perëndimit dhe NATO-s në një teren që tradicionalisht konsiderohej me ndikim rus.

Sërish gjeopolitika i dikton disa gjëra, pavarësisht ideologjive, interesave ekonomike, apo civilizuese veç e veç. Përpjekja këmbëngulëse për kontestimin e vazhdueshëm të kufijve të Kosovës, madje edhe me Malin e Zi e Maqedoninë, dhe së fundmi me një goditje të fuqishme mbi vet parimin e mos ndryshueshmërisë së kufijve në ish-Jugosllavi, dhe aktualizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe në dëm të dialogut Kosovë-serbi, tregoi se ajo ishte veç një projekt i menduar gjatë i kontestimit të gjithçka çka ishte arritur deri më tani, dhe se ka ardhur koha që edhe ndikimi i “Lindjes” ndër shqiptarët të formësohej me një marrëveshje të re shqiptaro-serbe, e cila do të rihapte dhe negocionte çështjen e Kosovës, duke e rishtruar për zgjidhje njëkohësisht edhe çështjen boshnjake mbi parime të njëjta.

Nëse nuk ka kapitulluar Serbia, sipas logjikës së ideatorëve serbë, dhe nuk njihet krimi serb në Kosovë, por përkundrazi kriminalizohet politika kosovare, atëherë s’ka arsye as të bisedohet për territorin që ju ka “marrë “ Serbisë. Kështu hapet rruga për bisedimet shqiptaro-serbe, për kufijtë etnikë dhe formimin e shteteve etnike në Ballkan, pra një luftë e re e cila mund të përfundoj me një marrëveshje, por edhe të zgjidhet me luftë…!

A ka kapitulluar Serbia, më 1999?

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori