LAJMI I FUNDIT:

Mos fli asnjëherë në darkë, nëse s’ke buzëqeshur të paktën dhjetë herë gjatë ditës!

Mos fli asnjëherë në darkë, nëse s’ke buzëqeshur të paktën dhjetë herë gjatë ditës!
Ilustrim

Nga: Milena Maggio
Përshtatja: Klodi Smajlaj

Më ndodhte shpesh të qeshja pa ndonjë shkak në klasë dhe mësuesja bezdisej aq shumë, sa një ditë më tha se duhej të çoja ‘një të rritur nga familja’ për të folur me të.


E kishte seriozisht!

Të nesërmen shkova në shkollë bashkë me gjyshin. Me t’u ulur përballë mësueses, ai hoqi kapelen e tij, e vendosi në prehër dhe u bë gati të dëgjonte me vëmendje atë që do t’i thoshte.

Ajo më fajësoi, u indinjua dhe pretendonte t’i kërkoja falje apo të shfaqja shenja pendese.

Gjyshi tundi kokën nga fjalët e saj e më pas i vuri në dukje se bajamja në kopshtin e shkollës po çelte lule.

“Ç’lidhje ka kjo?” – e pyeti mësuesja.

“A s’të duket e çuditshme që bajamja ka çelur, pavarësisht këtij prilli tepër të ftohtë?” – ia ktheu gjyshi, teksa vazhdonte t’i mbante sytë te pema që kishte shpërthyer në sytha.

“Jo, nuk më duket aspak e çuditshme. Pema është krijuar për të çelë në pranverë, e gjithsesi, nuk është edhe aq ftohtë sa t’ia pengojë asaj lulëzimin. Pra, është krejt normale, për mendimin tim.” – përfundoi ajo me atë zërin e saj të ashpër, që ende e mbaj në kujtesë.

“Mirë,” – tha gjyshi dhe u ngrit e më mori për dore.

“Edhe e qeshura e mbesës sime çel njëlloj, pavarësisht të ftohtit që ajo gjen këtu brenda. Çel, ashtu siç duhet të çelë shpirti i një të riu që mëson për të qenë i lumtur. Kështu që është normale, do të thoja edhe unë. Respekte e mbetsh me shëndet, zonjushë!”

Ecëm në heshtje me gjyshin deri në shtëpi. Me të mbërritur te dera, ai më kërkoi t’i premtoja se nuk do të flija asnjëherë në darkë, po të mos kisha buzëqeshur të paktën dhjetë herë gjatë ditës.

Dhe unë ia premtova!