Poezi nga: Juan Gustavo Cobo-Borda
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ndërsa miqtë e mi, ata më të ndershmit,
rrëzonin diktatura,
organizonin revolucione,
pastaj trupat e tyre të copëtuar
bëheshin pjesë e historisë së ndyrë latino-amerikane,
unë lexoja libra të këqinj.


Ndërsa miket e mia, ato më të bukurat,
zhdukeshin para ndonjërit
që i pavendosur, s’arrinte
t’u thoshte sa e kishte marrë malli,
unë vazhdoja të lexoja libra të këqinj.

Tani po e marr vesh:
në ato libra të këqinj
kishte dashuri të çmendura, luftëra më të drejta,
gjithçka duhet që një ditë
të përmbushë gjithë ato kauza boshe.