Mos e hidhni furçën e vjetër të maskarës! Me këtë truk do të krijoni manikyr që duket si në sallon

Një furçë e pastruar mirë e maskarës dhe disa ngjyra manikyri mjaftojnë për të krijuar motive moderne e unike në thonj, pa shpenzuar para për mjete profesionale
Nëse ju pëlqen një manikyr origjinal, por nuk keni kohë ose buxhet për vizita të shpeshta në sallonet e bukurisë, ekziston një zgjidhje e thjeshtë që po bën bujë në rrjetet sociale.
Në vend që të blini furça dhe mjete të shtrenjta për dekorimin e thonjve, përdorni një send që ndoshta e keni tashmë në shtëpi – furçën e vjetër të maskarës.
Mjafton ta pastroni mirë dhe ta kombinoni me disa ngjyra manikyri për të krijuar efektin modern "splatter", me vija dhe pika abstrakte që duken sikur janë realizuar nga një profesionist.
Si ta përgatisni furçën?
Vendoseni për disa minuta në ujë të ngrohtë me pak sapun ose zhyteni në ujë micelar për të tretur mbetjet e maskarës.
Më pas, me një furçë dhëmbësh të vjetër ose me gishta hiqni mbetjet e bojës. Në fund, dezinfektojeni me pak alkool mjekësor dhe lëreni të thahet plotësisht, transmeton Telegrafi.
Si ta realizoni manikyrin?
1. Vendosni bazën
Lyejini thonjtë me një bazë në ngjyrë të çelët, si e bardhë, bezhë ose rozë e hapur, dhe prisni derisa të thahet.
2. Merrni ngjyrat
Mos e zhytni furçën e maskarës direkt në shishen e manikyrit. Në vend të kësaj, kalojeni lehtë mbi furçën ose grykën e shishes së manikyrit për të marrë pak ngjyrë. Përsëriteni me dy ose tri nuanca të ndryshme.
3. Krijoni motivet
Prekeni butësisht thoin me furçë, lëvizeni lehtë ose rrotullojeni pak. Qimet e dendura të furçës do të krijojnë vija të holla dhe pika shumëngjyrëshe, duke formuar një efekt artistik dhe unik.
4. Fiksojeni rezultatin
Pasi të jenë tharë motivet për një ose dy minuta, aplikoni një shtresë mbrojtëse transparente. Ajo do t'i japë shkëlqim, do të lëmojë sipërfaqen dhe do ta bëjë manikyrin të zgjasë më shumë.
Ky truk i thjeshtë dëshmon se nuk keni nevojë për mjete të shtrenjta për të pasur thonj të bukur. Ndonjëherë, mjafton pak kreativitet dhe një send që mendonit ta hidhnit në kosh. /Telegrafi/










































