LAJMI I FUNDIT:

Morina nga Trusti: Tërheqja e kursimeve është kompetencë e Kuvendit të Kosovës, humbjet e Fondit po rikuperohen

Morina nga Trusti: Tërheqja e kursimeve është kompetencë e Kuvendit të Kosovës, humbjet e Fondit po rikuperohen

Tërheqja e kursimeve nga Fondi i Pensionit është kompetencë e Kuvendit të Kosovës dhe se do të përkrahet secili vendim që sjell ky organ.

Kështu ka thënë kryesuesi i Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale (Trusti), Ruzhdi Morina duke shtuar se humbjet e Trustit kanë filluar të rikuperohen.

“Ne vazhdojmë të mbajmë pozicionin se nuk dëshirojmë që përfshihemi në këto incitiva. Kjo është kompetencë e Kuvendit të Kosovës. Jemi të gatshëm ta zbatojmë secilin vendim që e sjell Kuvendi. Është mirë që për këto iniciativa të diskutohet, por që kjo duhet të jetë mundësia e fundit për t’i ndihmuar qytetarët”, tha Morina gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, kthimi në investim për vitin e kaluar ka qenë më i madhi që nga formimi i Fondit.

“Kthim prej 11 për qind apo 227 milionë euro, më e madhe që nga themelimi. Lufta në Ukrainë ka ndikuar në performancën e Trustit. Kemi ndërmarr veprime investuese. Në janar kemi pasur një rikthim të fitimeve. Nga 90 milionë që ishin humbjet, tashmë e kemi rikuperuar këtë, ku kemi arritur në rreth 80 milionë euro. Rreth 17 mijë përfitues janë prekur, por që kanë filluar të rikuptorohen. Pritet të ketë ndryshim të çmimit të njësisë”, ka shtuar ai.

Tërheqja e dytë e kursimeve pensionale nga Trusti, qytetarët shprehen pro dhe kundër
Lexo po ashtu Tërheqja e dytë e kursimeve pensionale nga Trusti, qytetarët shprehen pro dhe kundër

Morina thekson se ky vit do të jetë sfidues për shkak të agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Një pjesë fondeve janë rikuperuar. Në muajt në vijim shpresojmë që kjo të na shpërblehet. Do të jetë një vit sfidues, duke parë ndikimet gjeo-politike në botë. Kemi një raport të rregullt me Bankën Qendrore të Kosovës. Vazhdojnë të kenë inspektime vjetore, ne po ashtu vazhdojmë që t’i mbajmë të informuar”, theksoi Morina, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, drejtori menaxhues i Trustit, Ardian Zalli tha se Fondi është në një situatë të paparashikuar.

“Jemi në një situatë të paparashikuar. Kjo do të varet se çfarë vendimi do të marrim tash e tutje. Nëse e shikojmë performancën e tregjeve, në riskun që e kemi marr kemi performuar mjaftueshëm mirë. Pra, në tre muajt e ardhshëm varet nga këto lëvizjes”, tha Zalli.

Ai gjatë raportimit në këtë Komision ka theksuar se në bankat komerciale të Kosovës, Trusti i ka të investuara rreth 530 milionë euro.

“Rikuperimi i Trustit gjatë viteve të krizës financiare të viteve 2008-2009 ka ndodhur dy vite. Kemi rreth 530 milionë euro në bankat komerciale të Kosovës, që na ka ndihmuar që ta amortizojmë humbjet”, ka treguar ai. /Telegrafi/