LAJMI I FUNDIT:

Moratoriumi për Dramën Shqipe

Moratoriumi për Dramën Shqipe

Pas Moratoriumit të skafeve, të gjuetisë apo të pyjeve, më në fund në vendin tonë u vendos edhe Moratoriumi për Dramën Shqipe. Me shumë gëzim dhe hare këtë vendim e shpalli drejtori i Teatrit Kombëtar, në momentin kur bëri publike Menynë (Repertorin) e Teatrit të vet, që këndej e mbrapa mund të thirret lirisht Teatri Ndërkombëtar Shqiptar. Prej këtij çasti mos u çudisni kur të gjeni ndër të përditshme tituj të tillë të përngjashëm me “Moratoriumi i Mishit rrit çmimin e peshkut” apo “Hyn zyrtarisht në fuqi Moratorium i Pyjeve” e që në të vërtetë do të nënkuptojnë edhe situatën në të cilën gjendet drama kombëtare nën Moratorium.

Meqenëse ne jemi një vend ku drejtori i Teatrit Kombëtar emërohet nga kryeministri, atëherë i bie që drejtori në fjalë të jetë njeri politik dhe të zbatojë (prite Zot!) një direktivë marrë tërthorazi nëpërmjet ministres së Kulturës, që siç dihet është punëtore dhe dashamirëse e përkthimeve. Dhe, meqë ra fjala te politika, është shumë interesant fakti sesi ajo (politika shqiptare) nuk dëshiron të heq dorë nga kontrolli mbi teatrin. Ne e dimë fare mirë se ajo, politika jonë, e shtrënguar prej të tjerësh, ka hequr dorë nga emërimet e rektorëve dhe dekanëve, e së fundi edhe nga emërimet e prokurorëve, por ja që nuk heq dorë nga teatri. Thonë që e ka qejf!

Por, le të kthehemi tek Moratoriumi. Unë personalisht nuk mendoj se drejtori ka ndonjë problem personal me dramën shqipe. Nuk ka, thjesht sepse nuk lexon. Kësisoj, problemet e tij janë me autorët, që shpesh kanë qëlluar të jenë me cene të ndryshme. Por, ai ka problem edhe me regjisorët që janë të paditur apo jo aq kureshtarë sa t’i qasen dramës shqipe.

Megjithatë, çështja e dramës shqipe nuk është çështje arkeologjike. Unë po e ndihmoj drejtorin me një listë veprash të mrekullueshme të dramaturgjisë kombëtare, të pavëna asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe që mund t’i jepnin punë këtij teatri edhe të paktën për dhjetë vite të tjera. Me këtë rast, mbetem me shpresë që edhe regjisorët shqiptarë ta marrin në konsiderate këtë listë se, kushedi, disa syresh mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes (leximeve) të tyre.

Unë e di që t’i japësh dikujt të lexojë është një barrë e rëndë, por meqenëse ju nuk mbani në Teatër dramaturgë (libretistë, që janë thirr motit), që do duhej të paguheshin vetëm për të lexuar e rekomanduar, atëherë do t’ju duhet të mbërtheheni në bibliotekë. Ose, a di çfarë? Më mirë organizo një seancë tjetër leximesh publike. Ohoho… e ku ka më mirë që të t’i lexojë dikush tjetër e ju të dëgjoni?! (Ky lexim quhet “Lexim me vesh”).

Gjithsesi, përpiqu ta zgjidhësh disi. Ja pra, po përqendrohem vetëm te modernët e bashkëkohorët, duke i lënë mënjanë klasikët e dramës sonë, si dhe ata dramaturgë aktivë si puna ime e që kanë vite që sillen rreth oborrit të Teatrit Kombëtar. Nga dramat e Martin Camajt kemi: “Loja e mbasdrekës” dhe “Kandili argjandit”; nga Zef Zorba kemi dramat “Si nata me ditë” dhe “Këpuctari, Zhelani dhe Bukuria”; nga Lekë Tasi kemi dramën “Gishtat e fortë”; nga Primo Shllaku gjeni dramat “Mbret pa mbretni”, “Komshiu i katit sipër”, “Aktorë pa kujtesë”; nga Naun Shundi dramën “Misto” e kështu më radhë. Për të mos ju lodhur vijmë te pjesët dramatike të Refet Abazit, Ridvan Dibrës, Lisandër Kolës e sidomos të Jeton Nezirajt, i cili po vihet në skenë edhe ndër teatro evropiane. A e shikoni pra, sesa shumë mund të gjeni, veç po të “gërmoni” pak?

Mirëpo, në fakt, detyra juaj si shërbyes dhe jo si sundimtar i Teatrit Kombëtar, si dhe detyra e shefes suaj si shërbyese dhe jo si sundimtare e Ministrisë së Kulturës, është që edhe nëse ato (veprat kombëtare dramatike) të mos ekzistojnë, t’i mbillni e t’i kultivoni.

Si kultivohet një autor?! Ah… duhet pyetur i dashur drejtor. Duhet pyetur, domethënë duhet lexuar. Më fal që ta përmenda prapë këtë fjalë fyese.

Shtete me tradita ku e ku më të pasura se ne e kanë vënë dramën kombëtare në qendër të edukimit e të nxënit. Kudo në vendet evropiane (sa për shembull: deri edhe në Malin e Zi, që është sa gjysma a çereku jonë) drama kombëtare komisionohet. Çfarë do të thotë ta komisionosh dramën kombëtare? Ah, edhe për këtë duhet pyetur (Ndjesë! “Lexuar” domethënë). Por, meqënëse Teatri Kombëtar për nga natyra juridike mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi në Konispol, a keni bërë ndonjë herë ndonjë sondazh nëse janë dakord apo jo njerëzit me Moratoriumin që keni shpallur? Se nuk po ju pyes nëse e keni spostuar ndonjëherë teatrin nga Tirana në drejtim të viseve të tjera të vendit, se kjo do ishte e tepërt.

Si për koincidencë, prejse u shpall ky Moratorium, edhe Ministria e Kulturës, në shenjë kujdesi, e mbylli konkursin kombëtar për dramën shqipe. Nga ana tjetër, teatrot lokale apo bashkiake, edhe pse me buxhete krejt të ulëta dhe pa emërtimin “Kombëtar”, këtë vit të gjitha kanë pasur drama shqipe në repertor. Ku i gjetën dramat ata? Në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjithashtu çdo vit realizohet konkursi për dramën shqipe dhe botohen fituesit. Mjafton të pyesësh se ku i gjejnë autorët ata? Është e thjeshtë pra, Në Teatrin Kombëtar në Tirane autorët janë shpallur si “Non Grata”.

Drama kombëtare, i nderuar Z. Moratoriumist, është burimi bazë për mësuesit dhe edukatorët e një vendi në procesin e të mësuarit rreth dhe përmes dramës. Slogani “Mësoni nëpërmjet dramës!” duhet t’i paraprijë një procesi të natyrshëm njerëzor, sepse është vërtetuar se truri ynë është i etur për të. Kush e ka vërtetuar?! Ah edhe për këtë duhet (më fal), lexuar, zoti drejtor. Vendet evropiane e njohin dramën kombëtare si gurthemeli i një pedagogjie të fuqishme dhe si rezultat i një procesi krijues që siguron një nga mjetet më bindëse të eksplorimit të kuptimeve mbi jetën. Nëpërmjet kultivimit të dramës kombëtare ne mësojmë se çfarë ka qenë dhe çfarë mund që të jetë një qenie njerëzore e identifikuar si bashkëkombës. Drama kombëtare është dëshmi shpirtërore e historikes dhe diskursi dramatik i saj është i vetëidentifikuar si diskurs social.

Një burim tjetër i rëndësishëm i kultivimit të dramës kombëtare mbetet nxitja e procesit të dramatizimeve të veprave të mëdha e të rëndësishme të letërsisë kombëtare. Pikërisht për këtë, roli i dramaturgut në teatër është i pazëvendësueshëm. Ai, dramaturgu pra, ndërton diskutime të shëndetshme rreth estetikës së dramës bashkëkohore shqiptare dhe hedh farën për krijimin e teatrit të autorit.

Në të gjithë botën i nderuar z. Moratoriumist, teatri është para së gjithash një fenomen lokal. Mos vallë ju kujtoni se në Evropë teatrot rrinë e presin nëse po i sjell kush ndonjë tekst që të tingëllojë si vendali? Jo more zotëri. Në Gjermani porositen dhe paguhen paraprakisht më shumë se 100 tekste dramatike në vit. Dhe ti më thua se nuk të paska ardhur asnjë tekst shqiptar i prezantuar prej ndonjë regjisori!? Po juve mund të mos ju vijë asnjëherë një tekst i tillë. Çfarë do të thotë kjo? Mos do thotë që Shqipëria të dënohet për të mos pasur kurrë dramaturgji të veten?! Jo more zotëri! Nuk është muhabet ky. Duke parë Menynë që na ke paraqitur, kuptojmë edhe më mirë se eksterofilia e jote nuk e shpëton teatrin dhe as nuk e zgjidh çështjen. Duke lexuar atë Meny merr vesh edhe më qartë se nëse regjisorin mund ta sjellim nga jashtë, autorin duhet ta prodhojmë.

Vetëm një të drejtë keni ju kur thoni se regjisorët shqiptarë nuk prezantojnë drama shqipe. Dhe, duke deklaruar këtë të vërtetë keni rihapur debatin se regjisorët tanë nuk i qasen dramës shqipe, sepse nuk kanë ku marrin referenca regjisoriale. Po. Është krejt e vërtetë se drama shqipe përballohet vetëm prej regjisorësh të mirë, prej mjeshtrash. Po pra, se si regjisor që jeni, tashmë duhet ta dini se niveli i regjisë shqiptare është dhe nuk mund të jetë më i lartë se ai i dramës shqipe. Drama dhe regjia janë skajet e një litari.

Kështu pra, në këto kushte ose t’ia heqim emërtimin Teatër Kombëtar dhe të themelojmë Teatrin e Dramës Shqipe, në modelin e Commedie Francaise, ose t’i hapim rrugë dramës shqipe në këtë teatër, duke e kthyer në një shkollë dramatike. Por, unë ende besoj se në një vend si i yni, pa sistem edukimi në fushë të dramaturgjisë, është detyra e Teatrit Kombëtar të hartojë programe për kultivimin e dramës shqipe dhe dramaturgëve të rinj. Me Moratoriumin, drejtori i Teatrit Kombëtar na propozon haptazi të gjithëve ne, që kemi një jetë duke shkruar dramë, që të jetojmë pa u vene re, sepse ai ka vendosur përfundimisht që në vend që të bëhet një Marathonomak i dramës shqipe, të ikë duke u kujtuar si një Moratoriumist i Dramës Shqipe.