LAJMI I FUNDIT:

Moore gjatë takimit me Brnabiq kërkon gjetjen e një kompromisi me Kosovën

Moore gjatë takimit me Brnabiq kërkon gjetjen e një kompromisi me Kosovën

Drejtori i përgjithshëm për çështje politike në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Richard Moore, ka thënë se është e nevojshme të vazhdohet me përpjekjet për të gjetur një mënyrë për të arritur një zgjidhje kompromisi me Kosovën.

Këto, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Moore i ka thënë gjatë një takimi me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.


Siç ka njoftuar Qeveria e Serbisë, Brnabiq dhe Moore diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Britanisë së Madhe dhe pasojat e ndërprerjes së dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

Në këtë drejtim, Brnabiq ka thënë se vendosja e taksës, formimi i ushtrisë së Kosovës dhe miratimi i platformës së dialogut nga ana e Prishtinës tregon se ata nuk po mendojnë për dialogun dhe se hedhin poshtë çdo mundësi të kërkojnë një zgjidhje kompromisi.

Ndryshe, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me Richard Moore, me të cilin është thënë se ka diskutuar për taksën për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës që i ka vënë qeveria e Kosovës, si dhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë drejtim, Vuçiq ka thënë se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t’i bëjë thirrje Prishtinës për heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ku sipas tij nëse një gjë e tillë arrihet, atëherë Serbia do të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Prishtinën, transmeton Telegrafi.

Sipas mediave serbe, presidenti serb e ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm, me atë që ai pretendon se si Prishtina nuk e ka përmbushur asnjë obligim të vetëm të arritur nga marrëveshja e Brukselit siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/