Momenti i sikletshëm kur të dashurës së Leonardo DiCaprios i griset fustani në dasmën e Bezos
Modelja italiane Vittoria Ceretti (27 vjeçe), e cila është edhe partnerja e aktorit të njohur Leonardo DiCaprio (51 vjeç), ka treguar se pati një incident të vogël me veshjen gjatë dasmës madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez.
Ceretti kishte zgjedhur një fustan vintage nga Dolce & Gabbana për mbrëmjen festive të së shtunës, por duket se festa ishte aq energjike, saqë fustani nuk i përballoi lëvizjet. Në një postim në InstaStory, ajo ndau dy fotografi në formatin “si filloi vs. si po shkon”, ku shihej se një grisje e vogël në fustan ishte kthyer në një çarje të madhe dhe të dukshme.
Sipas raportimeve të Page Six, festa përmbyllëse e fundjavës martesore ishte një spektakël i vërtetë, me të ftuar të shumtë nga bota e famës. Në “pistën e vallëzimit deri në mëngjes” u panë fytyra të njohura si Kris Jenner, Oprah Winfrey, Gayle King, Mick Jagger dhe Sydney Sweeney.

Ndër “valltarët më të zellshëm të natës” u përmendën Kris Jenner me partnerin e saj Corey Gamble, stilisti i njohur Tommy Hilfiger me bashkëshorten Dee Ocleppo, si dhe Jessica Seinfeld, gruaja e komedianit Jerry Seinfeld.

Për muzikën u përkujdes këngëtari i njohur Usher, mik i afërt i çiftit Bezos-Sánchez, i cili performoi një miks të hiteve më të mëdha të tij. “Usher zbriti nga skena dhe u bashkua në kërcim në mes të të gjithëve,” tregoi një burim për mediat. /Telegrafi/









































