LAJMI I FUNDIT:

Modelet e reja Volvo dhe Polestar marrin aplikacionin e YouTube për vetura

Modelet e reja Volvo dhe Polestar marrin aplikacionin e YouTube për vetura

Pronarët e disa modeleve të caktuara të Volvo dhe Polestar tani mund të shikojnë video të YouTube përderisa janë të parkuar me veturat e tyre ose teksa presin që ato të karikohen.

Kjo u bë e mundshme pas një përditësimi softuerik që u bë në gamën e këtyre markave në fillim të këtij muaji.


Në dispozicion në modelet e pajisura me një sistem info-argëtimi Android Automotive – të tilla si Polestar 2 dhe modelet Volvo të vitit 2023 – aplikacioni i integruar në YouTube, platforma e shpërndarjeve të videove shfaqet në ekranin qendror me prekje të veturës, me kusht që vetura të jetë e parkuar dhe e lidhur me internet.

Veturat Volvo dhe Polestar me qasje në këtë veçori duhet të jenë të lidhura me WiFi ose nëpërmjet Bluetooth që aplikacioni të funksionojë, ndërsa vetura duhet gjithashtu të ndalet dhe të jetë e parkuar, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Kjo do të thotë që pronarët e veturave elektrike Volvo dhe Polestar mund të shfletojnë platformën e shpërndarjes së videove gjatë karikimit të veturave të tyre, ndërsa ata me modele benzine dhe naftë mund të shikojnë video në parkingjet e veturave dhe rrugicat para shtëpive të tyre.

Si Android Automotive ashtu dhe aplikacioni YouTube janë zhvilluar nga gjiganti i teknologjisë Google, i cili ka furnizuar Volvo me sisteme info-argëtimi që nga viti 2019.

Volvo dhe Polestar nuk janë markat e para të automobilave që e integrojnë YouTube në veturat e tyre, pasi Tesla prezantoi këtë veçori në makinat e saj elektrike në fund të 2019, së bashku me shtimin e platformës së filmave Netflix. /Telegrafi/