Nga veshjet ditore te paraqitjet në punë dhe mbrëmje, këto xhaketa përshtaten me çdo stil dhe e bëjnë dukjen menjëherë më të sofistikuar

Pranvera ka ardhur dhe, krahas pardesyve, xhaketat po rikthehen si një nga pjesët kyçe të gardërobës. Bëhet fjalë për një klasik të përjetshëm që nga sezoni në sezon rikthehet natyrshëm në qendër të vëmendjes, pavarësisht prirjeve të modës.


Xhaketa është pjesë që përshtatet lehtë me stile dhe raste të ndryshme. Funksionon po aq mirë në kombinimet e përditshme me xhinse dhe bluza të thjeshta, sa edhe në variante më formale. Pikërisht në këtë shumëanshmëri qëndron forca e saj, sepse pa shumë mendim e ngrit të gjithë paraqitjen dhe i jep formë. Pavarësisht nëse zgjidhni prerje klasike apo modele më të gjera e të lira, me xhaketën vështirë se gaboni.

Në ambientin e punës kombinohet më së miri me pantallona elegante, këmishë ose bluzë të thjeshtë, duke i dhënë dukjes seriozitet dhe hijeshi. Për veshjet ditore mjafton ta hidhni sipër xhinseve dhe një bluze bazike ose trikoje të hollë, ku krijon kontrast dhe e bën kombinimin më interesant, transmeton Telegrafi.

Kur bëhet fjalë për mbrëmje, xhaketa mund të jetë pjesa kryesore e dukjes. Kombinohet bukur me fustane sateni, materiale të lehta apo edhe si bluzë më vete me pantallona me bel të lartë. Në këtë mënyrë duket elegante, moderne dhe paksa e veçantë.

Sa u përket ngjyrave, tonet neutrale si bezha, grija apo e zeza janë më praktike dhe kombinohen lehtë çdo ditë, ndërsa nuancat pastel ose ngjyrat e forta sjellin freski dhe bien më shumë në sy në ditët e ngrohta.

Në vazhdim ju sjellim disa nga më të bukurat e sezonit.

/Telegrafi/