LAJMI I FUNDIT:

“Mobbing” – në punë ndihesh si në xhungël? Si ta menaxhosh këtë situatë

“Mobbing” – në punë ndihesh si në xhungël? Si ta menaxhosh këtë situatë

Nuk ka më punë pa stres e pa ndjenjën e frustrimit. Nuk mjafton fakti se është shumë e vështirë të gjesh punë, por duhet të përballesh rëndom tashmë edhe me abuzimin emocional – dukuri sociale që në disa gjuhë evropiane është quajtur fenomeni “Mobbing”

“Mobbing” vjen nga fjala angleze “To mob”- të sulmosh me ashpërsi, dhe u përdor për herë të parë në vitin 1961 nga etologu Lorenz, me kuptimin e sulmeve të qëllimshme të individëve të të njëjtit lloj.


Duke filluar nga vitet 1980, fjala “mobbing” filloi të përdoret për të përkufizuar një lloj forme “terrorizmi psikologjik” në vendin e punës, i ushtruar nëpërmjet sjelljeve brutale, agresive dhe poshtëruese, në mënyrë të përsëritur, nga një koleg apo disa, kundrejt një individi të caktuar, transmeton Telegrafi.

Sipas vrojtimeve dhe studimeve të fenomenit “Mobbing”, studiues amerikan e kanë specifikuar abuzimin emocional në vendin e punës tipik për ambientet me organizim të dobët me metoda jo produktive, paaftësi ose neglizhencë në menaxhim, ku viktimat e këtij fenomeni karakterizohen si “individë të veçantë të cilët shfaqin inteligjencë, kompetencë, kreativitet, integritet që shoqërohen me përkushtim dhe përgjegjshmëri”.

Të gjithë e pranojmë se jetojmë në kohë të vështira ku vlerat shkatërrohen ose tjetërsohen, ku kriza ekonomike ka mbërthyer shumë biznese duke shtuar notat e stresit. Ndoshta kjo krijon terren për dhunë psikologjike aq më shumë që për këtë nuk ekziston pengesë e dukshme veç ndërgjegjes së individëve.

Viktimat e terrorit psikologjik në vendin e punës shpesh ndihen të pafuqishëm. Pikërisht kjo pafuqi e bën më të mprehtë problemin. Prandaj ekspertët këshillojnë: Të bëhesh vetë aktiv në vend që të qëndrosh i heshtur.

Për “Mobbing” flitet kur dikush rregullisht persekutohet dhe dhunohet psikologjikisht. Pasojat renditen nga ngarkesë psikologjike deri në paaftësi për të punuar.

Idealja është të menaxhosh vetë situatën: Çfarë ndjenjash dhe mendimesh kam? Çfarë ndodhi vërtet?

Për arsye se njerëzit reagojnë ndryshe në situata të caktuara konflikti, këshillohet të kërkohet një bashkëbisedues i besuar për vlerësimin e situatës.

Drejtojuni një mikut tuaj të afërt dhe pyeteni për vlerësimin e tij. Kështu mund të siguroheni se problemi nuk qëndron në mbindjeshmërinë tuaj. Përveç kësaj, mund të mësoni se si perceptohet ky konflikt nga një tjetër këndvështrim. Në këtë mënyrë bëhet objektiv vlerësimi juaj. Nëse kolegët, për shembull, e dëmtojnë rregullisht mausin e kompjuterit tuaj, nuk është më gallatë, e diçka e tillë nuk duhet pranuar nga askush.

Nëse ky “Mobbing” nuk vjen nga vetë shefi, mund të ndihmojë ndoshta edhe një bisedë me të.

Problemi “Mobbing” nuk zgjidhet nëse vetë personi nuk reagon. Pra është e gabuar të gëlltitet gjithçka. Të lësh të gjitha të kalojnë në kurrizin tuaj është po aq e gabuar sa një reagim i nxituar. Shpesh kolegët që ushtrojnë “Mobbing” kanë si qëllim të provokojnë një sjellje që ndoshta sjell me vete një paralajmërim apo pushim nga puna.

Të mbrosh caqet që sigurojnë individualitetin tënd? Është një strategji, për t’i bërë rezistencë këtij fenomeni. Tregoni që e keni të qartë se po ushtrohet terror psikologjik tek ju dhe shpreheni këtë. Flisni për rastet që keni evidentuar, shpeshtësinë dhe format e persekutimit, duke dhënë fakte, etj.

Personat që ushtrojnë dhunë psikologjike, teorikisht, nuk kanë më kënaqësi të vazhdojnë të të vënë në siklet kur u bëhet e ditur se e keni kuptuar që jeni viktimë e “Mobbing” (që po ju vë në lojë).

Mbaje mend: Do gjesh gjithmonë të afërm dhe miq që do të dinë të ndihmojnë nëse flet me ta pa ndrojtje. Reagoni se nuk do të jetë kurrë më keq saç është kur ndrydhni ditët nën grinë e abuzimit emocional dhe frustrimit. /Telegrafi/