LAJMI I FUNDIT:

Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin (I)

Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin (I)

Ka shumë detaje të rëndësishme për sukses në shitje, gjatë komunikimit me klientin. Te çdo kontakt, me çdo klient, ka potenciale për shitje, madje edhe në rastet kur ju veç mundoheni të lini përshtypje të mirë në shërbimin ndaj klientit. Për t’ia dalë mbanë, ka qasje se si t’i hapet rruga drejt shitjes dhe se si të mbahen klientët pranë – për kohë të gjata.

Sipas hulumtimeve, njerëzit që do të qëndrojnë në biznes dhe që do të përparojnë në të ardhmen janë ata që gjatë komunikimit kanë kujdes të veçantë në përmirësimin e aftësive të tyre. Nëse i merrni parasysh gjashtë udhëzimet e mëposhtme dhe e bëni secilën prej tyre pjesë të përditshme të imazhit dhe të të bërit biznes, ju jo vetëm që do ta begatoni veten dhe biznesin tuaj, por do ta ndërtoni një bazë referimi të cilën do ta ndjekin edhe të tjerët:


1. Mirësjellja: Më të mirët në shitje janë punëtorët me mirësjellje. Ata janë të kujdesshëm për veprimet dhe fjalorin e tyre. Shoqëria jonë po ndryshon vazhdimisht, si dhe pritjet e saj për sjellje ndaj biznesit. Mjerisht ato pritje shpesh ulen, por njerëzit më të paguar në biznes janë të sjellshëm, kanë shumë kujdes me fjalorin e tyre që të mos fyejnë vlerat e njerëzve me të cilët flasin.

2. Interesimi: Njerëzit duan ta dinë sesa jeni të interesuar për të shërbyer e për të ndihmuar që klienti të jetë i lumtur me shërbimin ose produktin që e ofroni. Vetëm atëherë ai do të pranojë raport të gjatë afarist me ju. Ata duan ta ndjejnë këtë interesim të sinqertë, e jo si shumë të tjerë që e shohin klientin veç si euro në sytë e tyre. Nëse një person mendon se keni nevojë për shitje dhe ai e ndjen presionin që i bëhet për të blerë një produkt, nuk do të jetë i gatshëm të angazhohet në blerje; do t’ju kundërshtojë, sepse e dëshiron interesimin tuaj për të.

3.Përkushtimi: Kjo mungon sot shumë në biznes. Njerëzit nuk janë të gatshëm të angazhohen dhe të përkushtohen për t’u bërë më të mirët në industritë e tyre. Për këtë duhet të jenë të gatshëm të dalin jashtë balancës, që një ditë të kenë ekuilibër të plotë. Ekuilibri duhet, por përgjatë ndërtimit të biznesit duhet të jeni të gatshëm të kaloni disa kohë edhe jashtë bilancit. Kjo do të thotë: nëse keni një familje, duhet të uleni me anëtarët e familjes dhe të thoni: “Do të kalojmë 24 muaj me më shumë kohë në përpjekjet për zhvillimin e biznesit . Duhet ta krijojmë një biznes profesionalisht të fortë ku dhe familja do të përfitojë që të kemi më shumë kohë për njeri-tjetrin. Kjo do të ndodhë, sepse jemi të gatshëm ta japim përkushtimin maksimal për sukses”.

4. Kompetenca: Njerëzit kërkojnë kompetencë dhe e meritojnë atë. Klientët presin që ju të jeni ekspert në punën që bëni. Ata duan që ju të njihni produktin apo shërbimin; ata duan të mbështeten në profesionalizmin tuaj.

5.Konsistenca: Secili profesionist i mirë është konsistent. Ata profesionistë e dinë saktësisht se sa kontakte kanë nevojë të bëjnë çdo ditë; ata e dinë saktësisht numrin e thirrjeve – pikërisht numrin e njerëzve që do të bëjnë vizita. Kjo do të rezultojë në më shumë produkte të shitura.

6. Kreativiteti: Njerëzit që bëjnë më të mirën janë kreativë. Me fjalë të tjera, nëse e kanë një sfidë, ata e kapërcejnë duke qenë kreativ. Nëse diçka është e gabuar në jetët e tyre, ata e trajtojnë atë në mënyrë kreative. Nëse nuk arrini të shitni, mos u dëshpëroni. Thjeshtë, bëhuni më kreativ.

Duke u përqendruar në nevojat e blerësve tuaj dhe duke u dhënë atyre shërbimin e duhur që meritojnë, do të zhvilloni një karrierë që do t’ju mbështesë juve gjatë gjithë jetës!

Për më tepër informacione, pyetje, për trajnime individuale ose të dedikuara për kompaninë tuaj, mund të më kontaktoni në adresat e mëposhtme:
Email: denis.gafuri@smardonline.com
Twitter: @DenisGafuri
LinkedIn:
https://www.linkedin.com/in/denis-gafuri-1a174334
Facebook: https://www.facebook.com/denis.gafuri