LAJMI I FUNDIT:

Miti për Kinën si superfuqi e ardhshme

Miti për Kinën si superfuqi e ardhshme

Nga: Peter Bergen dhe Joel Rayburn / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

Për asgjë nuk pajtohen politikanët e polarizuar të Uashingtonit, pos në konsensusin e nivelit të lartë dypartiak rreth një kërcënimi të madh të supozuar: Kina. Pra, për shtetin me rritje të supozuar dhe me planin e besueshëm për të zëvendësuar ShBA-në si superfuqinë dominuese.


Strategjia e Sigurisë Kombëtare e administratës Biden, për vitin 2022, Kinën e përshkruan si “konkurrentin e vetëm me synimin për të riformuar rendin ndërkombëtar dhe, gjithnjë e më shumë, fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta çuar para këtë objektiv”.

Në mënyrë të ngjashme, administrata Trump në vitin 2020 tha se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprimet për ta mbrojtur veten dhe partnerët “nga një Kinë gjithnjë e më kategorike”.

Në fakt, përmes shumë masave, Kina është në rënie.

Ky është gabimi që liderët amerikanë janë të prirë ta bëjnë. Pas 11 shtatorit, ShBA-ja e mbivlerësoi kërcënimin e paraqitur nga Iraku i Saddam Huseinit dhe atje e zhvilloi një luftë të bazuar në supozimet e rreme rreth programit të supozuar të Saddamit për armët e shkatërrimit në masë dhe për lidhjet me Al Kaedën.

Fillimisht, një vit e gjysmë më parë disa amerikanë gjithashtu e mbivlerësuan aftësinë e Rusisë për ta pushtuar dhe nënshtruar shpejt Ukrainën.

Si rezultat i kërcënimit të perceptuar të një Kine në ngritje, ShBA-ja dhe disa nga aleatët e saj tani po e ndërmarrin riorganizimin e madh të pothuajse çdo sektori qeveritar – nga ushtritë tek agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë, diplomacia dhe marrëdhëniet ekonomike, rregulloret tregtare, financimi i arsimit të lartë, mbikëqyrja e mediave sociale dhe më shumë.

Por, ky riorientim i madh a është i projektuar për të kundërshtuar kërcënimin – që mund të shuhet në dekadën e ardhshme – nga Kina apo diçka më shumë? Analizimi i tendencave të skajshme demografike të Kinës, intensifikimi i problemeve ekonomike dhe sondazhet që sugjerojnë rënien e pozitës ndërkombëtare, duhet të merren parasysh.

Problemi demografik është padyshim tendenca afatgjate që duhet të alarmojë më së shumti zyrtarët kinezë. Politika “një fëmijë” e Kinës, një nga eksperimentet më të guximshme të historisë së inxhinierinë sociale – e cila u inaugurua zyrtarisht në vitin 1980 dhe përfundoi më 2016 – tani ka prodhuar atë për çfarë ishte krijuar: tkurrjen e madhe dhe të paepur të popullsisë së vendit.

Sipas Qendrës Kërkimore të Popullsisë dhe Zhvillimit, vitin e kaluar shkalla e lindshmërisë së Kinës ra në një rekord të ulët prej 1.09 – në nivelin më të ulët mes vendeve me popullsi prej më shumë se 100 milionë banorëve.

Popullsia e vjetër e Kinës do të paraqesë probleme të rëndësishme për fuqinë ushtarake kineze. Kina sot mund të bëjë tërheqje nga rezervat e mëdha të fuqisë punëtore, për të shërbyer aa në forcat e mëdha të armatosura që ka ndërtuar presidenti Xi Jinping – por, kjo rezervë po tkurret me shpejtësi.

Byroja e Regjistrimit e ShBA-së, vlerëson se Kina sot ka rreth 350 milionë meshkuj të moshës 15-49 vjeçe, që është grupi demografik që përfshin pjesën më të madhe të ushtrisë së saj. Kjo kategori është në rënie të madhe – nga pika kulmore e Kinës në vitin 2012 me rreth 400 milionë. në të njëjtën kategori, dhe deri më 2040 ky numër do të bjerë në pak më shumë se 299 milionë.

Në të kundërtën, rivali kryesor kinez, India, tashmë ka rreth 402 milionë meshkuj të moshës 15-49 vjeçe dhe deri në vitin 2040 kjo shifër do të rritet në 424 milionë – sipas shifrave të Byrosë së Regjistrimit në ShBA.

Fuqia punëtore nuk është masa e vetme e rëndësishme e potencialit ushtarak të një vendi. Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanë vetëm rreth një të katërtën e të njëjtës popullsi mashkullore – të moshës ushtarake që ka Kina. (Megjithëse ajo grupmoshë 15-49 vjeçe, ndryshe nga ajo e Kinës, parashikohet të rritet në mënyrë të qëndrueshme në dekadat e ardhshme.)

Por, në rastin e Kinës, tkurrja e përshpejtuar e grupit të popullsisë 15-49 vjeçe, është problem i paprecedentë – jo vetëm në sektorin ushtarak, por në gjithë fuqinë punëtore kineze. Deri në vitin 2050, pothuajse 38 për qind e popullsisë kineze do të jetë mbi 60 vjeç, dhe deri atëherë popullsia e moshuar e vendit do të jetë më e madhe se popullsia e saj e moshës ushtarake, vlerëson Byroja e Regjistrimit e ShBA-së.

Është e vështirë të shihet se si modeli ekonomik kinez, që kërkon rritje të vazhdueshme, mund ta mbajë veten teksa popullsia prodhuese po shembet.

Pastaj ka një mori të problemeve ekonomike të Kinës, shumë prej të cilave janë vetëshkaktuar nga politika e ngurtë “zero-Covid” e Jinpingut. (Pas shpërthimit të shpejtë të aktivitetit pas heqjes së bllokadës të Covidit-19, në fillim të këtij viti, ekonomia e Kinës tani është në dobësim.)

Problemet e tilla janë veçanërisht të theksuara te të rinjtë. Papunësia te kinezët e moshës 16-24 vjeçe, në zonat urbane, ishte në një rekord prej 21.3 për qind në qershor. Pas kësaj, Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës tha se në të ardhmen do të pezullojë publikimin e të dhënave të papunësisë së të rinjve.

Rënia e pasurive të paluajtshme, në shkallë të gjerë, gjithashtu duket se po afrohet. Evergrande, një nga zhvilluesit më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme në Kinë, filloi të shembet në vitin 2021. Është zhvilluesi me borxhin më të madh në botë, raporton Financial Times, me mbi 340 miliardë dollarë detyrime. Javën e kaluar, aksionet e Evergrande-it ranë me mbi 70 për qind.

Këto dështime financiare janë të rëndësishme, sepse pasuritë e paluajtshme luajnë rol të madh në ekonominë kineze. Për disa vjet, pasuritë e paluajtshme kanë zënë një të katërtën e PBB-së së Kinës, megjithatë shifrat më të fundit të disponueshme nga viti 2018, treguan se rreth një e pesta e apartamenteve kineze ishin të zbrazëta – më shumë se 130 milionë njësi, sipas një studimi nga Universiteti Jugperëndimor për Financë dhe Ekonomi në Kinë..

Në të njëjtën kohë, burgosja e më shumë se një milion ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike në Kinë – sipas Kombeve të Bashkuara, duke cituar “raportet e besueshme” – ka rezultuar në një kosto ekonomike dhe politike për Pekinin, pasi ShBA-ja ka vendosur kufizimet tregtare ndaj kompanive kineze që kanë lidhje të pretenduar me këto politika. (akuzat për burgosje masive, Kina i ka quajtur “plotësisht të pavërteta”.)

Ndërkohë, politikat e shtrira të investimeve të Kinës – “Belt and Road”, në mbarë botën – janë dëshmuar të jenë pengesë financiare, pasi kreditë prej miliarda dollarëve nuk i janë shlyer Kinës.

Kina ka punuar shumë për ta pozicionuar veten si një paqebërëse ndërkombëtare, si në rastin kur ndërmjetësoi një marrëveshje afrimi midis Arabisë Saudite dhe Iranit, në fillim të këtij viti.

Por, në aspektin e balancës, Kina po humb miqtë dhe pozitën ndërkombëtare. Vitin e kaluar, Qendra Kërkimore PEW zbuloi se “pikëpamjet negative për Kinën mbeten në ose afër niveleve historike në më shumë se 19 vende” ku organizata bëri anketa.

Kjo do të thotë se fuqia kombëtare e Kinës, e cila sot është e madhe, është pothuajse e sigurt se do të jetë më e dobët në të ardhmen? Dikush mund të jetë i paqartë nëse Pekini, duke parë një dritare të mbyllur ndaj mundësive për të arritur qëllimet me mjete ushtarake, mund të bëhet më agresive në afatin e afërt.

Është e vërtetë që fuqitë në rënie, në të kaluarën janë bërë ndonjëherë agresive, veçanërisht në fund të viteve 1970 me BRSS-në dhe me Rusinë bashkëkohore. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë është paralajmërim për Kinën dhe gjithë të tjerët në lidhje me rrezikun e një lufte të tepruar nga vetëbesimi, me një ushtri të cilës i mungon përvoja e fundit e një konflikti të madh. Përveç përplasjeve të shkurtra me Vietnamin më 1979 dhe Indinë më 1962, hera e fundit që Kina bëri luftë të madhe dhe të zgjatur ishte shtatë dekada më parë, në Kore.

Anasjelltas, nuk është e vështirë të imagjinohet se, për të projektuar fuqinë jashtë vendit, Kina më 2035 ose 2040 është shumë e mbingarkuar nga krizat e saj socio-ekonomike. Në fund të fundit, pesha e popullsisë së moshuar të Kinës, mbi pjesën tjetër të shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit të saj, do të jetë me të vërtetë dërrmuese vetëm pas disa vitesh.

Shoqëritë e tjera në historinë moderne, si Italia dhe Japonia, janë plakur po aq sa po bëhet popullsia e Kinës, por kurrë në një shkallë kaq të gjerë dhe kurrë si rezultat i një politike të qëllimshme shpopullimi. Kina tani ofron stimujt për të pasur fëmijë, si zbritjet e taksave për familjet dhe shtimi i pushimit të lehonisë, por duket se kanë pasur ndikim të vogël deri tash.

Pekini duket se nuk ka plan real dhe të zbatueshëm për t’u larguar nga rënia demografike ose për të menaxhuar realizimin e modelit të rritjes ekonomike të Partisë Komuniste. Nëse Xi dhe strategët e tij kanë plan të realizueshëm për të shmangur me shpejtësi dënim demografik të Kinës, ata po heshtin për këtë. Ajo që ka më shumë gjasa është se asnjë plan i tillë nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë.

Kjo na kthen te çështja e strategjive të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët e saj. Në rënie apo jo, Kina paraqet rreziqe të qarta strategjike, për një periudhë të afërt. Këtu është vjedhja për një kohë të gjatë e pronës intelektuale amerikane, shkeljet masive kibernetike të institucioneve të qeverisë amerikane, përpjekjet e saj agresive për ta transformuar Detin Jugor të Kinës nga ujërat ndërkombëtare në një liqen kinez, tronditja mbi Tajvanin, shtypja e demokracisë në Hong-Kong dhe ngritja e përgjithshme ushtarake e shkallës së gjerë.

Si rezultat i disa prej këtyre tendencave, Strategjia e Sigurisë Kombëtare e administratës së mëparshme Trump, bëri që Kina të “konkurrojë në mënyrë aktive” kundër Shteteve të Bashkuara dhe me një “fuqi revizioniste”. Trumpi vendosi tarifa për një gamë të gjerë të mallrave kineze.

Administrata Biden kryesisht ka mbajtur tarifat e kohës së Trumpit, për mallrat kineze, ndërsa muajin e kaluar ndaloi ose kufizoi një sërë të investimeve amerikane në teknologjitë e avancuara në Kinë, duke përfshirë AI-në dhe informatikën kuantike.

Është e drejtë të kritikosh ShBA-në dhe aleatët e saj për nënvlerësimin e rreziqeve nga Kina, për pjesën më të madhe të çerekshekullit të kaluar, dhe është e drejtë dhe e arsyeshme të ripërqendrohet në frenimin e agresionit kinez në një afat të afërt.

Por, çfarë vjen pas afatit të afërt? Është gabim strategjik të nënvlerësosh një kundërshtar, por është po aq gabim të mbivlerësosh një kundërshtar. /Telegrafi/