Ish-gazetari i BBC-së, Misha Glenny, në vitin 1999 ka botuar librin ‘Balkans – nationalism, wars and the great powers’ (Ballkani: Nacionalizmi, luftërat dhe Fuqitë e Mëdha). Libri është ribotuar dhe ka 800 faqe dhe nuk e shpjegon esencën qe e imponon titulli. Nëse flasim me përqindje, historia shqiptare në tërë këtë volum nuk paraqet as një për qind të librit. Nga kjo do të konkludohet se historia shqiptare është e parëndësishme.

Në fakt, ky është qëllimi i librit. Pra, shqiptarët të paraqiten si popull i parëndësishëm dhe që asgjë nuk ka ndodhur për shkak të tyre apo rreth tyre. Kjo është korniza e idesë pan-sllave për shqiptarët dhe vendin që ata e kanë populluar gjatë historisë. Nëse eventualisht shqiptarët paraqiten diku, sipas kësaj teorie, ata janë problematikë për Evropën dhe për këtë shkak duhet përzënë nga Ballkani. Kështu thotë kjo teori pan-sllave e cila në esencë është fashiste. Kjo është korniza e librit të Misha Glenny-it dhe ky libër nuk dallon shumë nga librat e liberalëve britanikë të shek. XIX që e kanë përkrahur pan-sllavizmin.

Me historinë shqiptare është e kundërta që pretendon Misha Glenny dhe pan-sllavistët. Shqiptarët dhe tokat e tyre janë qendra e historisë së rajonit. Në fakt, tërë ngjarjet që kanë ndodhur në Ballkan gjatë pesë shekujve të fundit, janë për shkak të shqiptarëve dhe tokave të tyre. Por, kjo është mohuar deri vonë në literaturën britanike dhe në ato tjerat të Evropës. Gjendja ka filluar të ndryshoj me punimet e Stavro Skendit, Noel Malcolmit dhe disa historianëve tjerë që kanë bërë me dije për rolin e rëndësishëm që shqiptarët kanë luajtur në këtë pjesë të Evropës.

Edhepse libri i Misha Glennyt në esencë është injorim i shqiptarëve, për çudi të madhe, ky libër është përkthyer në shqip dhe është botuar dy herë. Edhe pse bota e mirëfilltë akademike evropiane e mënjanon këtë libër duke mos e cituar, disa shqiptarë i japin rëndësi të madhe shkencore. Këtë e bëjnë nga budallallëku ose për shkak të inferioritetit që pason nga Sindromi i Stokholmit. Me pak fjalë, libri i Glennyt është libër për bërllok.

Misha Glenny nuk e ka fshehur kurrë simpatinë që ka për Serbinë. Glenny është ai tipi që në takimin e parë të Ramës me Vuçiqin, në Beograd, e udhëheq debatin apo konferencën për shtyp. Unë në disa raste publike, kur në Londër e kam mbrojtur të drejtën e Kosovës, e kam pasë Misha Glennyn për kundërshtar për shkak se ai e mbronte Serbinë.

Por, te ne në Kosovë dhe në Shqipëri, Misha Glenny gëzon një autoritet shkencor të konsiderueshëm. Nuk janë të pakta rastet kur te ne sheh njerëz që e valëvisin librin e Glennyt si referencë të vlefshme akademike. Me pak fjalë, ky është një segment i një realiteti të hidhur. /Telegrafi/