LAJMI I FUNDIT:

Ministrja gjermane viziton sot Tiranën, pritet takim me liderët e Kosovës e Serbisë për uljen e tensioneve

Ministrja gjermane viziton sot Tiranën, pritet takim me liderët e Kosovës e Serbisë për uljen e tensioneve

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pritet të nisë sot nga Tirana vizitën e saj në Ballkan mes tensioneve në rritje Kosovë-Serbi.

“Baerbock do të bisedojë me liderët nga Serbia dhe Kosova dhe do të vazhdojë t’u kërkojë të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri”, njoftoi sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.


Takimet e ministrave të jashtëm të rajonit në Shqipëri të premten janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, i cili filloi në vitin 2014 për të nxitur bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë u shkaktua pasi paraushtarakët serbë sulmuan policinë në veri të Kosovës, duke vrarë një oficer.

Sulmi çoi në përleshje me armë dhe një përplasje në një manastir ortodoks të pushtuar nga grupi i armatosur rëndë.

Beogradi, më pas vendosi trupat serbe në pozicionet afër kufirit.

Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 1999 pas një konflikti të përgjakshëm dhe shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Beogradi, megjithatë, vazhdon ta pretendojë Kosovën si pjesë të Serbisë.

Zëdhënësi i Baerbock tha se situata në rajon ishte padyshim shqetësuese.

“Serbia e ka për detyrë të bëjë thirrje, pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna. Shenjat fillestare se Serbia ka reduktuar numrin e trupave pranë kufirit janë një hap i parë i rëndësishëm, por tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt shmangies së përshkallëzimit”, tha ai.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha se aktualisht nuk ka plane për të rritur numrin e trupave gjermane të dislokuara në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.

Aktualisht janë 71 ushtarë gjermanë në terren si pjesë e misionit. /Telegrafi/