LAJMI I FUNDIT:

MPJD: S’ka shtetas të Kosovës të vdekur në Turqi, 70 viktimat me prejardhje të vjetër shqiptare

MPJD: S’ka shtetas të Kosovës të vdekur në Turqi, 70 viktimat me prejardhje të vjetër shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se nuk ka asnjë shtetas të Kosovës që është mesin e viktimave nga tërmetet që kanë goditur Turqinë.

Ky reagim vjen pas disa deklaratave se janë 70 shqiptarë në mesin e të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Turqi.


“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara që nga data 6 shkurt kur ka ndodhur tërmeti ka pasur kontakte të vazhdueshme me shtetas/qytetarë të Kosovës që jetojnë apo veprojnë në Turqi dhe ata janë asistuar nga ambasada për çfarëdo nevoje që kanë pasur, qoftë për transport, qoftë sigurim të fletudhëtimeve për tu kthyer në Kosovë”, njofton MPJD.

Ministria e Jashtme thotë se në mesin e të vdekurve mund të ketë shtetas turq që kanë prejardhje të vjetër shqiptare.

“Për sa i përket deklarimeve publike të z. Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve, ju njoftojmë se bëhet fjalë për familje/persona,  që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara thotë se ka kontaktuar dhe ka biseduar edhe me z. Kaya, gjatë javës së kaluar, i cili  ka informuar se ai dhe familja e tij janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime.

Ministria ka dhënë edhe informata për qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, për datat 10 -13 shkurt 2023.

Kaya: Si pasojë e tërmetit në Turqi, vdiqën 70 shqiptarë
Lexo po ashtu Kaya: Si pasojë e tërmetit në Turqi, vdiqën 70 shqiptarë

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, është kontaktuar ditën e premte (10 shkurt) nga dy studente nga Kosova, të cilat kanë njoftuar se gjenden në qytetin Adana. Gjatë komunikimit me stafin e Ambasadës, studentet kanë konfirmuar se janë të vendosura në konviktin universitar dhe se janë mirë me shëndet. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara po vazhdon komunikimin me të dy studentet dhe po shqyrton të gjitha mundësitë që të realizoj kthimin e tyre në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

MPJD-ja ka njoftuar se me datë 13 shkurt, Ambasada e Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familje nga Kosova që ka arritur të largohet nga qyteti Gaziantep në Ankara dhe ka nevojë për fletë udhëtime për tu kthyer në Kosovë.

“Në pasditen e së hënës(13 shkurt), pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve. Në numrat emergjent të Ambasadës janë lajmëruar edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, të cilët kanë dhënë informata se janë të sigurt dhe se nuk janë prekur nga tërmeti”, thuhet në deklaratë.

Sipas Ministrisë Ambasada dhe Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll, janë vënë në gjendje gatishmërie për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në zonat e goditura nga tërmeti.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99;

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91”, thuhet tutje në njoftimin e MPJD./Telegrafi/